Rreziku, MIE do të mbyllë grykat e galerive të minierave në të gjithë vendin – Procesi përfundon brenda 5 muajsh
Grykët e galerive të minierave që nuk janë më në shfrytëzim do të mbyllen në të gjithë vendin brenda pak muajsh. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procedurat për punimet e nevojshme për këtë proces.
Punimet mund të kushtojnë deri në 71 milionë lekë, ndërkohë që afatet kohore parashikojnë përfundimin brenda 5 muajve nga data e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.
Galeritë e hapura janë bërë shkak aksidentesh të shumta dhe me viktima, ku banorët e zonave përreth futen në miniera për të nxjerrë skrap apo për të mbledhur minerale të pashfrytëzuara.
Pjesa më e madhe e grykave të galerive do të mbyllet me mur guri e llaç çimento, ndërkohë që fillimisht procesi do të bëhet për galeritë në Tiranë-Memaliaj, Korçë dhe Pogradec-Prrenjas. Procesi do të shoqërohet nga punimet për mbjelljen e sipërfaqes përreth me fidanë dhe krijimin e zonave të pyllëzuara me pemë karakteristike të zonës.
Në total parashikohet të ndërhyhet në mbi 200 punime minerare si galeri, depo të lëndëve plasëse, oxhaqe, pusëza, etj. (SCAN)