Qendra për të Drejtat në Punë CLR prezanton gjetjet e Raportit të Monitorimit mbi Kapitullin 19 – Politikat Sociale dhe Punësimi
Qendra për të Drejtat në Punë zhvilloi takimin mbi gjetjet e Raportit të Monitorimit mbi Mangësitë dhe Çështjet Ndërsektoriale në Legjislacionin e Punës në Shqipëri, me fokus në përafrimin me Kapitullin 19 të acquis të Bashkimit Evropian. Aktiviteti mblodhi së bashku aktorët kryesorë të angazhuar në fushën e marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Raporti, i hartuar nga Qendra për të Drejtat në Punë (CLR), synon të analizojë gjendjen aktuale të kuadrit ligjor dhe zbatimit të standardeve të punës në Shqipëri, duke evidentuar boshllëqet dhe sfidat kryesore, si dhe duke kontribuar në formulimin e rekomandimeve konkrete për përmirësim. Në mënyrë të veçantë, diskutimet u përqendruan në:
- prezantimin e gjetjeve kryesore mbi përafrimin e Shqipërisë me Kapitullin 19 – Politikat Sociale dhe Punësimi;
- analizimin e boshllëqeve në zbatimin e legjislacionit të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, dialogut social, barazisë dhe mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësve;
- mbledhjen e komenteve dhe rekomandimeve nga palët e interesuara;
- identifikimin e fushave prioritare për veprime të mëtejshme dhe bashkëpunim në të ardhmen.
Një nga gjetjet kryesore të raportit është se, ndonëse Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në përafrimin e kuadrit ligjor dhe institucional me standardet evropiane, sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i tyre në praktikë. Çështje si informaliteti, siguria dhe shëndeti në punë, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe forcimi i dialogut social kërkojnë ende vëmendje dhe ndërhyrje të qëndrueshme.
Diskutimet synuan që gjetjet e raportit të shërbejnë si bazë për hapa konkretë në të ardhmen, për analiza më të thelluara dhe për përmirësime të mëtejshme në politikat dhe zbatimin e legjislacionit të punës. Procesi i integrimit evropian nuk lidhet vetëm me përafrimin ligjor, por edhe me zbatimin efektiv të tij përmes institucioneve funksionale, dialogut social dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet të gjithë aktorëve.
CLR shpreh mirënjohjen e saj për të gjitha institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e punës së denjë, kushteve të sigurta të punës dhe forcimit të dialogut social.
Një falënderim i veçantë i dedikohet edhe ekspertëve kontribues në hartimin e raportit: Z. Florian Xhafa si dhe Znj. Sonila Danaj nga Qendra Evropiane për Politikat dhe Kërkimet e Mirëqenies Sociale në Vjenë, Austri, si dhe Znj. Ratka Babić nga projekti ESAP3, të cilët iu bashkuan takimit online dhe ndanë ekspertizën e tyre të çmuar në fushën e marrëdhënieve të punës.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: Monitoring Report on Gaps and Cross-Cutting Issues In Labour Ligislation in Albania – EL
