Kur flet për Suedinë, por harron çfarë ka thënë për sindikalizmin në Shqipëri
Fjalimi i fundit i Edi Ramës është një ushtrim i shkëlqyer oratorie siç e ka zakon dhe aftësi për të folur e stërholluar gjërat edhe pse përsërit historitë shumë herë. Aty në tekst ka Obama, Macron, Perón, Milei, Suedi, Singapor, algoritme, sociologji, filozofi politike dhe plot metafora. I ka merak dhe kur është më i stresuar atëherë përdor më shumë metafora dhe stërzgjatje fjalish e fjalimesh.
Ai thotë se partitë nuk rrëzohen sepse nuk flasin, por sepse pushojnë së dëgjuari. Është një konstatim i saktë. Vetëm se për ta bërë të besueshëm duhej të fillonte me një fjali të vetme:
“Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur me Partinë Socialiste.” Por atë fjali nuk e tha.
Në vend të saj, ndërtoi një shëtitje turistike nga Washingtoni në Buenos Aires, nga Porto Alegre në Paris, nga Stokholmi në Singapor.
Kur merr si model Suedinë, paradoksi bëhet edhe më i madh. Modeli socialdemokrat suedez nuk u ndërtua mbi propagandën, por mbi sindikatat e forta, dialogun social dhe organizimin e punëtorëve. Pikërisht ato shtylla që në Shqipëri janë dobësuar sistematikisht.
Për vite me radhë, Edi Rama e ka ironizuar sindikalizmin shqiptar. Sindikalizmi është institucioni që mbron punëtorin, balancën në marrëdhëniet e punës dhe dialogun social. Pikërisht ky institucion është dobësuar për dekada me radhë nga të gjitha qeveritë, përfshirë ato të Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Prandaj, kur sot na flet për Suedinë, nuk mjafton të citosh modelin suedez. Duhet të pranosh edhe se Shqipëria ka bërë pothuajse të kundërtën. Nuk mund të marrësh shembullin e një vendi që ndërtoi shtetin social mbi sindikata të forta, ndërkohë që në Shqipëri sindikatat janë lënë pa peshë reale dhe shpesh janë trajtuar si pengesë, ose më keq, si objekt talljeje.
Nuk mund të përdorësh Suedinë si dekor të një fjalimi, kur ke kontribuar që një nga themelet mbi të cilat ajo u ndërtua – sindikalizmi – të mbetet ndër institucionet më të dobëta të Shqipërisë.
Pastaj vjen Singapori.
Na tregon për ministrat që ulen çdo javë deri në mesnatë për të dëgjuar qytetarët. Është një shembull i bukur. Por harron të tregojë pse funksionon Singapori. Nuk funksionon sepse ministrat bëjnë fotografi me qytetarët. Funksionon sepse korrupsioni trajtohet si tradhti ndaj shtetit, jo si incident administrativ. Sepse askush nuk është mbi ligjin. Sepse standardi etik është po aq i rëndësishëm sa ai ekonomik. Dhe sepse shteti nuk ndërtohet mbi propagandën, por mbi besimin.
Harron të përmendë edhe një tjetër fakt që e bën Singaporin të veçantë. Atje mësuesit janë ndër profesionistët më të respektuar dhe më të paguar në vend. Shteti investon te mësuesi përpara se të investojë te slogani. Sepse e di se cilësia e një kombi fillon në klasë, jo në konferencën për shtyp dhe fjalimet e Ramës dhe ministrave të tij që bëjnë show e deklarime duke shëtitur nëpër kantiere.
Linku i fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në facebook: https://www.facebook.com/share/v/1JihHjDnoL/
