DEKLARATË E QENDRËS PËR TË DREJTAT NË PUNË (CLR)
DEKLARATË E QENDRËS PËR TË DREJTAT NË PUNË (CLR)
Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe e drejta për protestë paqësore janë detyrime të shtetit
Tiranë, 20 tetor 2026
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) shpreh shqetësimin për situatën e tensionuar gjatë protestave dhe thekson se garantimi i së drejtës për protestë paqësore, mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe siguria e punonjësve të Policisë së Shtetit, duhet të jenë përparësi absolute.
E drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të kufizohet në mënyrë arbitrare dhe as të trajtohet si privilegj që varet nga vullneti i pushtetit.
CLR vlerëson se, në situata të tilla, autoritetet shtetërore kanë detyrimin të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë, të mbrojnë pjesëmarrësit dhe të parandalojnë çdo veprim që mund të rrezikojë jetën, shëndetin dhe integritetin fizik të personave të pranishëm.
Çdo përdorim i forcës duhet të jetë në përputhje me ligjin, i domosdoshëm dhe proporcional. Çdo pretendim për dhunë, përdorim të pajustifikuar të forcës apo shkelje të të drejtave themelore duhet të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe efektive, duke siguruar identifikimin e përgjegjësive dhe zbatimin e ligjit.
Në të njëjtën kohë, CLR thekson se mbrojtja e të drejtave të protestuesve dhe garantimi i sigurisë së punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin. Jeta, shëndeti dhe dinjiteti i çdo personi duhet të mbrohen, pavarësisht rolit të tij në situatën e krijuar.
CLR shpreh gjithashtu solidaritetin me punonjësit e shërbimeve shëndetësore, të Policisë së Shtetit, të pastrimit dhe mirëmbajtjes, si dhe me zjarrfikësit, të cilët gjatë këtyre ditëve po përballen me presion dhe ngarkesë të jashtëzakonshme në ushtrimin e detyrave të tyre. Siguria dhe dinjiteti i këtyre punonjësve duhet të garantohen, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për t’u siguruar kushte të përshtatshme pune dhe mbrojtje gjatë kryerjes së shërbimit.
Kërkesat e CLR-së
Përballë situatës së krijuar, Qendra për të Drejtat në Punë u kërkon autoriteteve shtetërore dhe drejtuesve politikë:
* Të garantojnë të drejtën për protestë paqësore, duke respektuar standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
* Të mbrojnë jetën, shëndetin dhe integritetin fizik të protestuesve, si dhe të sigurojnë mbrojtjen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të personelit të shërbimeve publike.
* Të hetojnë në mënyrë të paanshme çdo rast të dyshuar të dhunës ose të përdorimit të paligjshëm të forcës dhe të sigurojnë përgjegjësi ligjore për shkeljet e konstatuara.
* Të marrin masa konkrete për uljen e tensioneve, duke shmangur retorikën nxitëse dhe çdo veprim që mund të përshkallëzojë konfliktin.
* Të angazhohen në dialog institucional dhe politik, me synimin për të gjetur zgjidhje konkrete për situatën dhe për të shmangur rrezikimin e mëtejshëm të qytetarëve dhe punonjësve në shërbim.
CLR rithekson se dënimi i dhunës, në çdo formë dhe nga kushdo që ushtrohet, duhet të shoqërohet me masa konkrete për parandalimin e saj dhe mbrojtjen efektive të të drejtave themelore.
Në një shtet të së drejtës, përgjegjësia institucionale nuk matet vetëm nga reagimi ndaj krizave, por edhe nga aftësia për t’i parandaluar ato, për të mbrojtur qytetarët dhe për të garantuar zbatimin e ligjit pa diskriminim dhe pa standarde të dyfishta.
Jeta dhe shëndeti i njerëzve nuk negociohen. Dhuna nuk justifikohet. E drejta për protestë paqësore duhet garantuar dhe shteti duhet të veprojë gjithmonë brenda kufijve të ligjit.
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR)