Problemet me punësimin, Shqipëria, Kosova e Maqedonia në të njëjtin kurth
Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova shfaqin karakteristika të përbashkëta përsa i përket tregut të punës dhe potencialeve për integrimin e të rinjve. Kjo duke pasur parasysh se bëhet fjalë për ekonomi të vogla, të dominuara në masë dërrmuese nga biznesi i vogël dhe i mesëm dhe të karakterizuara nga dukuri të tilla, si rritje ekonomike e pastruktruar, rritje dhe punësim i varur nga investimet e huaja direkte, mospërputhje mes ofertës dhe kërkesës në tregun e punës dhe nga një nivel i lartë i emigrimit, kryesisht i të rinjve.
Global Opportunities Albania, i mbështetur nga Fondacioni Hanns Seidel realizoi projektin “Aftësitë për punën e së ardhmes: Përgatitja e të rinjve me aftësi të reja, të orientuara nga tregu i punës i së ardhmes- rasti i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, i cili evidentoi problematikat dhe potencialet e tregut të punës në këto vende për të rinjtë.
6 tryeza të rrumbullakta në Shqiperi, Kosovë dhe Maqedoni mundësuan mbledhjen e të dhënave për karakteristikat e tregut të punës dhe mundësinë e integrimit të të rnjve në secilin prej këtyre vendeve.
Banka Botërore ka vlerësuar në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perendimor ‘Dobësitë ngadalësojnë rritjen ekonomike” ecurinë e punësimit për vitin 2017 në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Sipas këtij raporti, në vitin 2017, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, ku norma e punësimit arriti mbi 50 për qind. Maqedonia nuk pati rritje ekonomike, por programet publike çuan në një përmirësim të lehtë të normës së punësimit, duke arritur në 44.2 për qind. Ndërsa Kosova, pavarësisht rigjallërimit të fortë me 1.3 për qind rritje, norma e punësimit mbetet ende e ulët në 30.4 për qind.