Rama mbledh drejtorët e Zyrave të Punës: 31 mijë vende të shpallura, ka probleme me të drejtat e punëtorëve
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Kryeministri me drejtuesit e zyrave të punës. Në 6 muaj, tha Kryeministri, janë punësuar 15 mijë persona. Rama tha se qarku me numrin më të lartë të njerëzve të punësuar është Gjirokastra. Rama theksoi se rreth 31 mijë vende pune të lira janë shpallur nga Zyrat e Punës.
“Rezultatet janë qartësisht të dukshme në Zyrën e Gramshit, zyrën e Librazhdit, zyrën e Peqinit, zyrën e Gjirokastrës, për të disatën herë Gjirokastra mbetet në listën kryesore me arritje të larta. Zyra e Lezhës dhe Mirditës, Pukës që ka ndikuar ndjeshëm me rezultatet e saj. Zyra e Shkodrës dhe zyra e Sarandës, këto janë zyrat që kanë rezultatet më të larta, por edhe të tjerët siç thashë janë brenda objektivit, plus që e kanë kaluar objektivin. Shpresoj të plotësohet si tendencë. Referuar sistemit tonë të taksave, emër për emër, për çdo person. Nga maji i vitit të kaluar deri tani, kemi 28 324 të punësuar më shumë. Rrjeti i komentatorëve të ERTV-së do të përqesh, do të na tallni, por është realiteti, por vetëm nga zyrat e punës janë mijëra njerëz. Ata që s’duan të mbeten tek balta e kazanit, mund ti verifikojë. Kush ka durim mund të numërojë. Vlen të theksohet roli i zyrave të punës në cilësinë në rritje. Rreth 31 mijë vende pune të shpallura janë të lira, ndërsa në qershor janë punësuar 4500 njerëz.”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha se përveç rezultateve pozitive, zyrat e Punës duhet të kenë si objektiv të garantojnë punësimin në bizneset private. Rama tha se shteti duhet të bëjë rolin e garantorit mes biznesit dhe tatimorët.
Kryeministri vuri në dukje problemet që ekzistojnë në sistemin privat me të drejtat e punonjësve që sipas tij, jo gjithmonë garantohen nga sipërmarrësit.
“Ju e dini shumë mirë që janë 5 deri në 6% mbi 5 të punësuar që i referohen zyrave të Punës. Mundësia aty është e jashtëzakonshme. Janë 93-93 % e bizneseve që janë të paprekura nga zyra e punës, ose të trokitura por pa suksesin e domosdoshëm që duhet të jetë pjesë e indikatorëve të performancës. Zyrat e Punës duhet të jenë garant që biznesi nuk cënohet nga Tatimet. Nëse ne si shtet bëhemi ndërmjetës, duhet të marrim përsipër përgjegjësinë e garantit që i punësojmë njerëzit në kushte ligjore normale. Nëse punonjësve nuk iu jepen të drejtat me ligj, atëherë është punë e dyfishtë. Duhet të jemi në krah të biznesit dhe të punonjësve. Bashkëpunimi me Universitetet ka nisur. Ka bashki që s’kanë mbulim me shërbime punësimi. Duhet të jemi pranë tyre dhe të ndërtojmë bashkëpunimin në një sens proaktiv. Në shumë biznese shumë të drejtat e punëtorëve nuk jepen. Në disa zyra pune ka akoma probleme me standartizimin e procedurave. Zyrat rajonale duhet të jenë më bashkëpunuese me zyrat vendore, jo gjithmonë rezulton se bëhet”, tha kreu i qeverise. (shqiptarja.com)