Qeveria, status për minatorët. Përfitojnë 8.000 vetë
Pas punonjësve të industrisë së naftës, qeveria po harton një status të veçantë edhe për punonjësit e industrisë së minierave. Ministria e Energjisë thotë se kërkesa erdhi nga vet minatorët dhe ish-minatorë në pension, e po diskutohet prej 6 muajsh.“Një nga kërkesat më kryesore që kërkojnë të gjitha sindikatat, sepse nuk mund t’i ndash ato të minatorëve, të cilët kanë arritur në një emërues të përbashkët me njëri-tjetrin, është paga minimale e punëtorëve aktualë të minierës, që kërkohet të jetë së paku 70 mijë lekë në muaj”, tha Gëzim Musabelli, zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë.
Mbi këtë pagë, drafti parashikon shpërblimin për vjetërsi në punë. Për rastet e aksidenteve nëntokë, ose ato të invaliditetit të plotë, minatorët kërkojnë pension familjar për bashkëshorten, kur nuk është e punësuar, apo fëmijët e mitur deri në moshën 18 vjeç.
Drafti parashikon rritjen e pensionit në minimalisht 30 mijë lekë dhe ulje të viteve të punës nëntokë, mbi të cilat llogaritet dalja në pension. Përfituesit e statusit kanë të drejtën të kryejnë dy herë në vit kontroll mjekësor falas dhe në rast të sëmundjeve përfitojnë kurim mjekësor falas.
“Punëtorët aktualë dhe ish-minatorë që janë në pension kapin një numër prej 8.000 vetësh. Për këta pritet një ndryshim thelbësor në kuadrin e financave. Fakt është që profesioni i minatorëve është ndër më të vështirët dhe mendojmë se qeveria do ta marrë për bazë, sepse minatorët në përgjithësi e kanë jetëgjatësinë më të shkurtër sesa qytetarët e tjerë”, shtoi më tej Gëzim Musabelli.