Siguria dhe shëndeti në punë, zvministri Kosovar i Punës viziton Tiranën, takon zv/ministren e Ekonomisë Sorenssen
Zvministrja e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë znj.Dajna Sorenssen ka zhvilluar një takim me zvministrin Kosovar të Punës dhe Mirëqenies Sociale z.Qerkin Dukolli dhe kryeinspektorit të Punës së Kosovës z.Basri Ibrahimi.
Në takimin me delegacionin Kosovar merrnin pjesë dhe përfaqësues të Qendrës për të Drejtat në Punë, CLR.AL të cilët realizuan këtë vizitë, në bashkëpunim dhe organizatat pratnere në Kosovë PEN dhe Qendrës për Politika dhe Advokim.
Z.Dukolli informoi zv. Ministren e Ekonomisë Sorenssen, mbi rolin dhe përgjegjësitë e Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në Kosovë (KNSSHP)..
Sipas zvministrit të Punës së Kosovës, ky këshill synon të përcaktojë masat për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë.
Nga ana e saj, zvministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj Sorenssen informoi homologun Kosovar Dukolli, se në këtë mandat të qeverisjes është shuar Ministria e Punës, dhe një pjesë e saj i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar te Ministria e Shëndetësisë.
Znj. Sorennsen theksoi se përgjegjësitë e saj janë të lidhura me aftësimin profesional.
“Një prej sfidave tona është informaliteti. Si dhe vendet e tjera në rajon, Shqipëria ka shkallën më të ulët të papunësisë, dhe shkalla e aktivitetit në Shqipëri është mbi 60%”, u shpreh zv/ministrja e Ekonomisë dhe Financave znj.Dajna Sorenssen.