Qendra për të Drejtat në Punë prezanton rekomandimet për progres raportin e vitit 2026 për Shqipërinë
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) pati mundësinë të kontribuojë në procesin e hartimit të progres raportit të Shqipërisë për vitin 2026, duke paraqitur një sërë rekomandimesh konkrete për përmirësimin e të drejtave në punë dhe politikave sociale në vend. Këto rekomandime do të adresohen pranë Komisionit Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në kuadër të vlerësimit vjetor të ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Në fokus të kontributit të CLR për këtë vit ishte nevoja për reforma të prekshme dhe të zbatueshme në praktikë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e punëtorëve dhe funksionimin e tregut të punës në Shqipëri.
Prioritetet kryesore të propozuara nga CLR përfshijnë:
- Forcimin real të dialogut social, përmes përfshirjes aktive dhe të strukturuar të sindikatave dhe aktorëve socialë e civilë në proceset vendimmarrëse
- Përmirësimin e mbrojtjes së punëtorëve, veçanërisht në situata të pasigurta apo të cenueshme në marrëdhëniet e punës
- Vendosjen e një standardi për minimumin jetik, si një hap i rëndësishëm drejt garantimit të kushteve dinjitoze të jetesës
- Rritjen e efektivitetit të Inspektoratit të Punës, duke forcuar kapacitetet monitoruese dhe zbatuese
- Forcimin e mbrojtjes ligjore për të drejtat sindikale, për të garantuar ushtrimin e lirë dhe të sigurt të organizimit kolektiv
- Përmirësimin e koordinimit institucional, me qëllim krijimin e politikave më koherente dhe më të zbatueshme në praktikë
CLR thekson se adresimi i këtyre çështjeve është thelbësor për ndërtimin e një tregu pune më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më funksional. Po ashtu, këto reforma janë të domosdoshme për të siguruar progres të qëndrueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ky kontribut vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të CLR për të promovuar të drejtat në punë dhe për të ndikuar në hartimin e politikave publike që vendosin në qendër dinjitetin dhe mirëqenien e punëtorëve në Shqipëri.
#tëdrejtatnëpunë #dialogusocial #BE #Shqipëria #CLR #integrimeuropian
