“Puna e Denjë”, CLR-sindikata takim me naftëtarët në Patos, apel për respektimin e të drejtave në punë
Në vazhdën e aktiviteteve ndërgjegjësuese, të organizuara me rastin e 7 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të “Punës së Denjë”, Qendra për të Drejtat në Punë, CLR, ka zhvilluar sot takime në terren me punëtorët e naftës dhe gazit në qytetin e Patosit.
Në takimin e organizuar nga CLR në bashkëpunim me sindikatën e re të Naftëtarëve Shqiptarë, kryetari i sindikatës, z. Konstandin Kina, theksoi nevojën e nxitjes së reagimit sindikal për të përcjellë problematikat në vendin e punës.
Gjithashtu , renditi disa prej problematikave që shqetësojnë sot sektorin e naftës dhe gazit.
Në emër të CLR, eksperti ligjor i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha, apeloi për një raport më të mirë mes sindikatës dhe punonjësve.
“Kjo frymë bashkëpunimi do ti shërbejë më së miri përmirësimit të marrëdhënieve të punës për të kërkuar respektimin jo vetëm të të drejtave, por dhe detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i punës”, tha eksperti i CLR në fjalën e mbajtur gjatë takimit me naftëtarët dhe punonjësit e gazit në Patos.
Në takim e morën fjalën dhe punëtorët ku përcollën shqetësimet e tyre,
Disa prej problematikave që u diskutuan nga ata ishin: Rishikimi i pagave, rinovimi i makinerive dhe i ambienteve të punës, sigurimi i transportit të punëtorëve etj.
Këto probleme iu adresuar drejtorit të Burimeve Njerëzore pranë kompanisë Albpetrol, z. Artan Velcani.
Ky i fundit, pranoi shqetësimet e ngritura nga naftëtarët, sindikata dhe CLR.AL.
Përfaqësuesi i kompanisë Albpetrol, premtoi se këto shqetësime do ti përcillen drejtuesve të bordit të kompanisë për të gjetur rrugën e zgjidhjes.
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR AL, do të vijojë punën për përmbushjen e qëllimit të saj në dhënien e informacionit, ,këshillimit asistencës dhe ndjekjes ligjore për çështjet e punës dhe të drejtës ne punë.