Akademia e Punës, CLR dakordëson vizionin e saj me partnerët sindikalë dhe përfaqësues të institucioneve të linjës
Në vazhdën e konsultimeve periodike për rolin dhe funksionimin e Akademisë së Punës, Qendra për të Drejtat në Punë, CLR, ka organizuar tryezën me aktivistë të shoqërisë civile, partnerë sindikalë dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse në fushën e të drejtave në punë.
Tryeza kishte për qëllim ngritjen e një bordi këshillimi për funksionimin e ardhshëm të Akademisë së Punës si dhe konsultimin e kurrikulave ekzistuese me synim përshtatjen e tyre me nevojat dhe vizionin e grupeve më të ngushta të interesit që janë organizatat sindikale.
Në tryezën konsultive merrnin pjesë përfaqësues të BSPSH, si dhe disa sindikata të degëve profesioneve të rëndësishme, si naftëtarët, industria e tekstileve dhe fasonerive, ushqimit agrikulturës, tregtisë si dhe turizmit dhe shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë.
Nuk munguan në diskutime dhe akademikë të njohur në fushën e punës si prof. Kosta Bajraba, i cili ka kryesuar grupin konsultues për Akademinë e Punës, si dhe eksperti në fushën e marrëdhënieve të punës, Vasil Dodi.
Vizioni i CLR mbi qasjen e Akademisë sa më pranë të interesuarve për marrëdhëniet e punës, u prezantua nga koordinatorja e qendrës, Eneida Mjeshtri.
Mjeshtri tha se CLR e sheh me shumë rëndësi bashkëpunimin me partnerët sindikalë duke nisur nga përzgjedhja e nivelit dhe mënyrës së përfshirjes së grupeve të interesit në zhvillimin e trajnimeve të Akademisë, referimin e pjesëmarrësve; konsultimin e materialeve të punës.
Koordinatorja e CLR i njohu pjesëmarrësit me kurrikulat e vitit të parë si dhe draft-kurrikulën e vitit të dytë të ciklit të plotë të trajnimeve në Akademi me kohëzgjatje 4-6 muaj.
Ajo parashtroi dhe disa propozime mbi aktivitetin e Akademisë së Punës.
“Ne propozojmë që në Akademi të ofrohen dhe kurse të veçanta në tematika të caktuara për target/grupe të tilla si vajzat/grate, të rinjtë me probleme paaftësie fizike, të punësuar ose profesionistë të fushave të ndryshme të cilët duan të thellojnë njohuritë e tyre për të drejtat e punës.
Gjithashtu, e nevojshme është që Akademia e Punës t’i shërbejë dhe ekspertëve dhe specialistëve të cilët dëshirojnë të marrin njohuri dhe trajnohen si “lektorë” në fushën e të drejtave në punë, apo edhe gazetarë të cilët do të shprehin interes për trajnime, etj”, u shpreh koordinatorja e CLR, Eneida Mjeshtri.
Nga ana tjetër, CLR propozon kurse trjanimi dhe për lidershipin sindikal, duke i dhënë mundësi atyre të zgjerojnë kapacitetet e njohurive në fushën e të drejtave në punë.
Pjesëmarrësit në tryezë e mbështetën rolin e Akademisë dhe funksionin e saj si dhe u shprehën pozitivisht për ndikimin fuqizues tek punëmarrësit dhe sindikatatat.
Përfaqësuesit e BSPSH-së, vlerësuan mundësitë që ofron Akademia sidomos tek të rinjtë.
Ata propozuan përfshirjen në kurset e trajnimit pranë Akademisë dhe të punëkërkuesve të papunë.
Ndërsa përfaqësuesit e Sindikatës Autonome të Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit, propozuan si cështje mjaft të rëndësishme forcimin e statusit të sindikatave në Shqipëri dhe rritjes së nivelit të njohurive të punonjësve, për mbrojtjen më të mirë të interesave të tyre social-ekonomike.
Përfaqësuesja e fondacionit suedez “Olof Palme International Center”, kërkoi që Akademia të ofrojë njohuri specifike teknike për të trajnuarit.
Ajo theksoi gjithashtu dhe nevojën e solidaritetit sindikal, aleancave mes partnerëve sindikalë, me të cilët duhet të ushqehen të rinjtë kursantë.
Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për punën, theksuan nevojën e bashkëpunimit e të gjithë partnerëve, shoqëri civile dhe sindikata, në luftën kundër informalitetit.
Aktiviteti i Akademisë së Punës bazohet në misionin e Qendrës për të Drejtat në Punë për informimin dhe edukimin e punëmarrësve shqiptarë me të drejtat e punës, si dhe asistimin e sindikatave ekzistuese në ngritje kapacitetesh të anëtarësisë sindikale me qëllim fuqizimin e rolit të sindikatave dhe inkurajimin e anëtarësimit të punëmarrësve në sindikata.