“Siguria dhe shëndeti në punë”, vendet e rajonit apelojnë për përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij
Projekti rajonal me temë: “Drejt Përmirësimit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Rajonin e Ballkanit” ka mbledhur në një tryezë, përfaqësues të sindikatave, organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e të drejtave në punë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore si dhe përfaqësues të bizneseve të cilët kanë mbështetur njëzëri idenë e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.
Organizatore e tryezës ishte Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.AL në partneritet me shoqatën Together for Life dhe GADC.
Moderatorja e tryezës dhe njëherësh përfaqësuese e CLR.AL, Eneida Mjeshtri, theksoi në fjalën e saj se qëllimi i tryezës është njohja me situatën aktuale në Shqipëri e rajon, përsa i takon zbatueshmërisë së ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Sipas saj, “me rëndësi është qasja në diskutime e ekspertëve teknikë, atyre që njohin praktikat dhe dinë se ku duhet të ndërhyhet për përmirësimin e ligjit “Për Sigurinë e Shëndetin në Punë”.
Në emër të fondacionit suedez “Olof Palme International Center, OPIC”, përshëndeti znj. Plejada Gugashi.
Sipas saj, siguria dhe shëndeti në punë është një komponent i rëndësishëm i mbrojtjes sociale dhe pasojat që rrjedhin nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë janë të njëjta për të gjitha vendet e rajonit.
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.AL, ka kryer një studim mbi situatën e zbatimit të ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, gjetjet e të cilit i prezantoi eksperti ligjor i CLR, z. Edison Hoxha.
Në vëmendjen e të pranishmëve, u renditën disa nga cështjet më kryesore të studimit;
- Gjendja në fushën e shëndetit dhe sigurisë në nivel kombëtar;
- Strategjia dhe korniza rregullatore për SSHP;
- Roli i partnerëve socialë në hartim/ implementim / rishikim të kuadrit legjislativ rregullator;
- Sistemi i inspektimit të punës në institucionet inspektuese;
- Masat administrative ndaj subjeketeve; Protokolli i inspektimit;
- Statistika të aksidenteve në punë (duke specifikuar burimin : ISHPSHSH, 2017);
- Klasifikimi gender për punëmarrësit e aksidentuar;
- Klasifikimi sipas llojit të aktivitetit ekonomik; Shkaqet kryesore të aksidenteve;
- Mbrotja e të aksidentuarve;
- Rekursi i aksidenteve në vite;
- Përputhshmëria e listës kombëtare të sëmundjeve profesionale në listën e ILO-s së sëmundjeve profesionale; si dhe gjetjet të cilat konsistonin në:
- Shkrirja e Ministrisë udhëheqëse dhe përgjegjëse për zbatimin e politikave të punës të “Dokumenti politik për Sigurinë dhe Shëndetin në punë 2016-2020-n” dhe shpërndarja e fushave të saj të veprimit në disa ministri të tjera sjell vështirësi në vijimësinë e zbatimit të këtij dokumenti dhe amulli institucionale.
- Mungesa e një sistemi bashkëkohor statistikash duke shfrytëzuar burime informacioni të integruar të të gjitha Autoriteteve përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e ligjit ‘Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë’.
- Mungesa e një autoriteti zyrtar shëndetësor për klasifikimin e punëmarrësve të diagnostikuar apo të prekur nga sëmundje profesionale e cila sjell një boshllëk të madh në të gjithë sistemin SSHP-së si në nivel ndërmarrje ashtu dhe në kontrollin shtetëror.
- Funksionimi joreal dhe fiktiv i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në nivel ndërmarrje apo sektori.
- Mospozicionimi i duhur i mjekut të ndërmarrjes në sistemin e SSHP –së duke dhënë kontribut konkret dhe jo vetëm formal si një nga të punësuarit e tjerë të subjektit.
Mbi bazën e këtyre temave, të pranishmit fokusuan diskutimet e tyre.
Një nga gjetjet e studimit të Qendrës për të Drejtat në Punë, është mosfunksionimi i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, si organe me rol mjaft të rëndësishëm në zbatueshmërinë e ligjit nga punëdhënësit.
Ky fakt u pohua dhe nga përfaqësuesja e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Eda Beqiri, përgjegjëse në Sektorin e Sigurimeve Shëndetësore.
“Konstatohet rritje e pranisë së këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë, por lë për të dëshiruar efektiviteti i tyre.
A ekzistojnë apo janë vetëm në letra?! Në Fakultetin e Mjekësisë gjithashtu mungon profili i mjekut të punës. Kabineti i sëmundjeve profesionale është i pangritur.
Mungon lëvizja sindikaliste nëpër subjekte. Punonjësit nuk e dinë se çfarë janë këshillat e sigurisë.”, u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, përfaqësuesja e Inspektoriatit Shtetëror të Punës kërkoi një analizë të ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” dhe plotësimin e tij me akte nënligjore.
Si përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Eralda Mariani vlerësoi rëndësinë e ligjit “Siguria dhe shëndeti në punë”, si garanci për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve.
Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja u shpreh se megjithë përmirësimin e legjislacionit të punës, aksidentet në vendet e punës vijojnë të ndodhin.
“Që pas 1946-s kur filloi shfrytëzimi konstant i nëntokës shqiptare, janë 528 aksidente me pasojë vdekjen dhe mbi 1800 aksidente.
Të dhënat janë nga Dokumenti i Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë. Profesioni i minatorit është ndër më të vështirët. Të ngrihen Komitete të Sigurimit Teknik. Ka rigjallërim të situatës së minierave në Shqipëri.”, tha z.Kalaja.
Përfaqësuesi i Biznes Albania, Kol Sinjari, Drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Projektet, Biznes Albania, vuri theksin në diskutimin e tij, tek njohja e pakët me ligjin “Për sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.
Në tryezë ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga rajoni.
Jovana Pantovic, përfaqësuese e “Center for Democracy Foundation”, në fjalën e saj paraqiti një panoramë të gjendjes së zbatimit të ligjit “Për SiguriNë dhe Shëndetin në Punë” në Serbi.
Ajo vuri theksin te informaliteti në ekonomi prej nga rrjedhin dhe aksidentet në punë.
“Sfidë e përbashkët është përqindja e lartë e punës informale.
Shoqatat dhe sindikatat mund të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë dhe shëndetin në punë, advokimin për të drejtat. Asnjë ligj nuk mund të sjellë ndryshim nëse nuk respektohet”, tha Pantovic.
Kosova është ende në hapat e parë të implementimit të ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.
Menaxher Projekti, Peer Educators Netëork- PEN, Erblin Hajdini, foli për praktikat që po zbatohen në Kosovë si dhe u shpreh se do të përcillte eksperiencat e fituara gjatë asaj tryeze përsa i takon listës së sëmundjeve profesionale.
Takimi u përmbyll me një sërë diskutimesh nga të pranishmit.
Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë drejt përmirësimit të respektimit të të drejtave në punë në rajonin e Ballkanit duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në të drejtën për siguri dhe shëndet në punë, e parë kjo në perspektivën e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shtyllave të të Drejtave Shoqërore të Bashkimit Evropian.