Ndryshon struktura e punësimit, zhvendoset nga bujqësia te shërbimet
Bie pesha e bujqësisë në punësim. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë 2018-ës, në bujqësi rezultonin të punësuar 37.4% totalit të të punësuarve në vend nga 38.2% që ishte një vit më parë.
INSTAT konstaton se struktura e punësimit sipas sektorëve u zhvendos nga bujqësia te shërbimet dhe prodhimi.
Gjatë vitit të kaluar, sektori i tregtisë dhe shërbimeve zuri 25.7% të të punësuarve gjithsej, me 0.7% rritje në krahasim me vitin 2017.
Pesha e sektorit të prodhimit shënoi gjithashtu rritje në strukturën e punësimit. Më 2018 të punësuarit në fabrika zunë 10.6% të totalit nga 10.1% një vit më parë. Sektori i ndërtimit po reflekton ekspansionin edhe në punësim teksa zuri 7% të totalit.
Rënie të peshës në totalin e të punësuarve patën sektorët e industrisë dhe të administrimit publik.