Microsoft eksperimenton javën e punës me 4 ditë.
Të punosh deri të enjten i bën punonjësit jo vetëm më të lumtur, por edhe më produktivë. Këtë e tregojnë rezultatet e një eksperimenti të kryer nga Microsoft në Japoni, të publikuara në faqen e shoqërisë, ku u pa se një javë pune me katër ditë rrit produktivitetin me 40 %.
Mjaftojnë 4 ditë pune, 3 ditë pushim dhe produktiviteti rritet me 40 %. Gjatë verës së këtij viti, Microsoft në Japoni eksperimentoi javën e shkurtër të punës, me rezultate mbresëlënëse si në sferën profesionale, si në kënaqësinë personale.
Eksperimenti u zhvillua në gusht te 2300 punonjës të Microsoft me seli në Tokio, të cilëve ju dha një ditë pushimi e paguar, çdo të premte. Produktiviteti gjatë kësaj periudhe, i cili u mat nëpërmjet shitjeve të çdo punonjësi, u rrit me 39,9 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
“Kjo – shkruan shoqëria – vjen pjesërisht për shkak të reduktimit të takimeve në maksimumi 30 minuta dhe zhvillimit të takimeve kryesisht nëpërmjet videokonferencave”.
Kompania ndër të tjera, paguante shpenzimet për udhëtime dhe organizonte workshope për kohën e lirë. Për shumë njerëz, java e punës me katër ditë është një ëndërr. Shpesh jemi detyruar ta zgjasim javën e punës edhe të shtunën apo të dielën. Por rezultatet e eksperimentit të kryer nga Microsoft tregojnë se sa më pak të punoni, më i lartë është produktiviteti. Ose më mirë, barazimi është i mundur.
Rezultate të tjera
Kompania publikoi edhe shifra të tjera të këtij eksperimentimi – siç thamë produktiviteti i punonjësve u rrit me 40 %, kurse kënaqësia e tyre, me 92 %. Praktikisht të gjithë punonjësit thanë se një ditë pune më pak i bënte më të lumtur, dhe rrjedhimisht më produktivë nga e hëna në të enjte. Gjatë kësaj periudhe, konsumi i energjisë elektrike u ul me 23,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, fletët e printuara u reduktuan me 58 %, punonjësit kërkuan 25,4 % më pak ditë leje.
Rezultatet e eksperimentit duhet të shihen në perspektivë. Japonia është një ndër vendet ku punohet më shumë në botë. Një punonjës në katër arrin të punojë edhe 80 orë ekstra në muaj, 12 % e kompanive deklaron se punonjësit e tyre kanë punuar edhe 100 orë ekstra. Por zgjatja e orarit nuk do të thotë domosdoshmërisht të punosh më shumë. Siç dëshmohet në Compendium of Productivity Indicators nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, japonezët renditen në fund sa i përket produktivitetit, në mesin e ekonomive të G7. Siç u dëshmua nga Microsoft, me pak fjalë “less is more”. Më pak, ndonjëherë, është më shumë.
Sipas Universitetit të Ohios, për shembull, produktiviteti do të rritej edhe me një reduktim të orarit në 6 orë në ditë. Richard Branson, një ndër përkrahësit e këtyre nismave, ka theksuar disa herë se fleksibiliteti në punë është “çelësi i kreativitetit’ duke propozuar madje edhe një javë pune me tri ditë në javë.
Microsoft në Japoni do të zhvillojë një eksperiment të dytë në dimër dhe do të nxisë të punuarit fleksibël, por nuk do të përfshijë një javë më të shkurtër pune.
Shumë studime të mëparshme kanë treguar se fleksibiliteti në punë rrit produktivitetin. Një kompani në Zelandë të Re eksperimentoi vitin e kaluar javën e punës me katër ditë. Në fund, u pa se produktiviteti i punonjësve u rrit me 24 %. Sipas Harvard Business Review, një agjenci udhëtimesh në Kinë regjistroi një rritje të produktivitetit me 13 % kur u dha mundësinë punonjësve të Call Center të punonin nga shtëpia.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një studim i Universitetit të Stanford gjeti në 2017 që një punonjës është i gatshëm të heqë dorë nga 20 % e pagës për të shmangur orarin fiks dhe 8 % të pagës në këmbim të mundësisë për të punuar nga shtëpia./ Monitor