• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Eksportet në ngadalësim, rriten 12.9% për 7 mujorin; Të varur nga krahu i lirë i punës

Eksportet në ngadalësim, rriten 12.9% për 7 mujorin; Të varur nga krahu i lirë i punës

Eksportet kanë vijuar të ngadalësojnë ritmet e rritjes edhe për 7 mujorin, duke reflektuar ecurinë e dobët të grupit të “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”. Për periudhën janar-korrik, shitjet e produkteve shqiptare jashtë vendit u rritën me 12.9% me bazë vjetore, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, teksa për 5 mujorin, zgjerimi ishte gati 17% (dhe për 6 mujorin 13.4%), sipas statistikave të publikuara nga INSTAT.

Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, ka shënuar rënie për të dytin muaj radhazi. Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me faktin se prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend, tek kompania IRTC, e cila më pas e përpunon dhe e hedh në tregun e brendshëm. Burime nga Bankers Petroleum pohuan se aktualisht 50% e naftës shitet në vend dhe 50% shkon për eksport, ndërsa vitin e kaluar e gjithë sasia shkonte për eksport. Një tjetër faktor që ka ndikuar lidhet me rënien e çmimit të naftës në bursa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, eksportet e këtij grupi u rritën me 3.8%, në 26 miliardë lekë. Ai mbetet grupi i dytë më i madh i eksportuar, por pesha e tij ndaj totalit ka rënë ndjeshëm në vetëm 16%, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të konjukturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 7 mujorin u rritën me 8.7%, në 70 miliardë lekë, duke përbërë 44% të totalit të eksporteve. Pesha e këtij grupi është rritur sërish, duke treguar varësinë e eksporteve tona nga shitja e krahut të lirë të fuqisë punëtore, që është edhe avantazhi kryesor konkurrues i vendit.

Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të eksporteve ka vijuar ta ketë grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 7 miliardë lekë me bazë vjetore për 7 mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 5.5 miliardë lekë), apo me 42%. Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi.

Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” është rritur me 17% në 16.1 miliardë lekë, duke përshpejtuar ritmet, në raport me 6 mujorin.

Grupit “Makineri pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritje, me 26.5% për 7 mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5.2% të totalit.

Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme përsa i përket eksporteve.

Rritet deficiti tregtar
Në shtatë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 158 mld lekë, duke u rritur me 12,9 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 350 mld lekë, duke u rritur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 192 mld lekë, duke u rritur me 1,4 %, krahasuar me 2016, referon INSTAT.

Ecuria e korrikut

Sipas publikimit të INSTAT, në Korrik 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,4 %, në krahasim me Qershor 2017. Importet e mallrave në Korrik 2017 arritën vlerën 55 mld lekë, duke u rritur me 9,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 3,7 %, në krahasim me Qershor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me Korrik 2016 dhe duke u ulur me12,3 %, në krahasim me Qershor 2017.
Në muajin Korrik 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2016 janë: Italia me (16,5 %), Kosova me (36,9 %) dhe Spanja me (216,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina me (-46,6 %), Mali i Zi me
(-1,0 %) dhe Rumania me (-6,4 %).

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (7,8 %), Kosova me (28,4 %) dhe Spanja me (175,8 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Bullgaria me (-7,4 %), Zvicra me (-44,3 %) dhe Kroacia me (-33,8 %).

One thought on “Eksportet në ngadalësim, rriten 12.9% për 7 mujorin; Të varur nga krahu i lirë i punës”

  1. A medida que la tecnología se desarrolla cada vez más rápido y los teléfonos móviles se reemplazan cada vez con más frecuencia, ¿cómo puede un teléfono Android rápido y de bajo costo convertirse en una cámara de acceso remoto? https://www.xtmove.com/es/using-android-mobile-phone-for-remote-monitoring-and-shooting/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?