• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Të rinjtë dhe sindikatat

Të rinjtë dhe sindikatat

Me qëllim prezantimin e programeve sindikale të rekrutimit të të rinjve në sindikata dhe në kuadër të fushatës “Të Rinjtë për Punë të Denjë”,  Qendra për të Drejtat në punë /CLR, zhvilloi në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar një takim të lirë me fokusvendosjen e të rinjve përballë përfaqësuesve sindikalistë.

Të rinj nga shkollat e mesme, universitetet dhe nga bota e punës u vendosën përballë një paneli me drejtues të sindikatave të ndryshme sektorale kombëtare, shërbimet publike, arsimi, shërbimet policore, tregëtia, turizmi, agropërpunimi, telekomunikacioni, tipografia, nafta dhe gazi si dhe sektorë të tjerë industrialë.

Diskutimet më të ndezura u zhvilluan mbi çështjet e organizimit kolektiv dhe dialogut social, efikasitetin e sindikatave sot, nevojën e modernizimit të tyre dhe kontaktin real që sindikatat duhet të kenë me rininë.

Ndër diskutimet që ngjallën më shumë debat ishte ai mbi mjetet që disponon një sindikatë(dialogu social dhe aksioni sindikal ), për të arritur objektivin kryesor, atë të mbrojtjes së interesit më të lartë të punëmarrësve shqiptarë. Gjithashtu gjatë diskutimeve doli imediate nevoja  e reformimit dhe modernizimit të sindikatave për t’i bërë më tërheqëse dhe më përfshirëse për të rinjtë.

Në përfundim të diskutimeve Qendra për të Drejtat në Punë /CLR, konstatoi se është e domosdoshme arritja e një sinergjie mes të rinjve dhe sindikatave, në mënyrë që sindikatat të rrisin anëtarësinë  dhe përfaqësueshmërinë e tyre, duke u legjitimuar si partnerë të rëndësishëm socialë,  pjesë e vendimmarrjeve kyçe social-ekonomike përmes rritjes së peshës së tyre negociuese. Roli i sindikatave që të rinjtë të gjejnë në vendet e punës mirëqenien dhe dinjitetin, për të mos u larguar nga vendi për një botë më të mirë pune është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Mirëqenia, dinjiteti dhe barazia sociale mund të arrihen këtu, nëpërmjet organizimit kolektiv në vendin e punës dhe krijimin e kushteve për punë të denjë. Të gjithë aktorët më të rëndësishëm të mbrojtjes së të drejtave të punës në vend, duhet të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare, përmes ngritjes së programeve, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe solidaritetit me qëllim arritjen e këtij objektivi fisnik.

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?