TABELA/ Biznesi fik motorët. BSH: Ndërmarrjet shqiptare ulën kapacitetet prodhuese
Rënia e konsumit të familjeve e ka detyruar biznesin të ulë prodhimin në tremujorin e dytë të vitit. Banka e Shqipërisë raportoi se ndërmarrjet në dy sektorë kyç të ekonomisë, shërbimet dhe industria kanë ulur normën e shfrytëzimit të kapaciteteve për shkak të rënies së shitjeve.
“Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie me 8.1 pikë përqindje në tremujorin e dytë, duke qëndruar rreth nivelit 71.7%. Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj,”- deklaroi Banka e Shqipërisë.
Shërbimet janë sektori më i madh i ekonomisë shqiptare duke dhënë mbi gjysmën e prodhimit kombëtar. Ulja e kapaciteteve prodhuese nga bizneset e këtij sektori nënkupton frenim të aktivitetit ekonomik dhe rënie të punësimit në tremujorin e dytë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, e njëjta dukuri ka ndodhur edhe ne sektorin e industrisë. “Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.5 pikë përqindje kundrejt vlerës së tremujorit të mëparshëm,” raporton BSH.
Pak ditë më parë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko paralajmëroi se rritja ekonomike mund të jetë ngadalësuar në tremujorin e dytë të vitit, falë krizës politike, por edhe thatësirës që ka përfshirë vendin.
“Të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë të vitit. Një nga faktorët kryesorë për këtë ngadalësim ka të bëjë me pasiguritë që shoqërojnë situatën zgjedhore. Më tej në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, që lidhen me thatësirën, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit,” paralajmëroi Sejko.