INSTAT: Një e treta e të punësuarve në privat janë informalë
Në vitin 2016 përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 31,9 % duke pësuar një rënie krahasuar me vitin 2015, kur ky tregues ishte në vlerën 34,1 %, raportoi INSTAT.
Tregu i punës në Shqipëri është përfshirë në një proces formalizimi teksa shihet se në skemën e sigurimeve shoqërorë janë shtuar edhe 157 mijë persona nga sektori jobujqësor qe nga viti 2013. Mirëpo të dhënat e INSTAT tregojnë se ka ende shumë hapësira për formalizim të mëtejshëm të tregut të punës.
Banka Botërore në një raport të shtatorit 2015 tha se tregu i punës në Shqipëri në sektorët jobujqësore është 48 % në informalitet.
Banka referon se, vlerësimet e anketës së fuqisë punëtore sugjerojnë se, afër gjysma e punësimit total jashtë bujqësisë korrespondon me punësimin informal, dhe pothuajse tre të katërtat e punës në ndërtim është informale.
Banka vëren se, niveli arsimor i punëtorëve jashtë bujqësisë është gjithashtu i ulët, veçanërisht në disa sektorë. Sektori i ndërtimit thith shumë punëtorë të pakualifikuar, ku më shumë se gjysma e vendeve të punës të ndërtimit janë të zëna nga punonjës me arsim fillor. Në të kundërt të ndërtimit, sektori i shërbimeve ka shumicën e punonjësve të kualifikuar. Rreth 82 për qind e punonjësve në shërbime janë me arsim të lartë.
Studimi i vlerësoi se, në sektorin e ndërtimit 70% e të punësuarve nuk deklarohen, në sektorin e shërbimeve madhësia e informalitetit është 35% dhe në sektorin e industrisë është 48%, sipas të dhënave të përpunuara nga Census (LFS) 2011.
Edhe të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë se të ardhurat nga sigurimet kanë mbetur në nivelin e 4% të PBB-së, sa gjysma e mesatares së rajonit.
Shqipëria përballet me sfida të shumta të tregut të punës. Sektori i bujqësisë punëson një pjesë të madhe të fuqisë punëtore, më aftësi të ulta, shumica e të cilëve janë punëtorë të papaguar të familjes ose të vetë-punësuar. Jashtë bujqësisë, informaliteti është i lartë dhe shumë prej tyre janë me kualifikim të ulët. Shifrat e e punësimit tregojnë rezultate të dobëta tek gratë dhe tek të rinjtë.