INSTAT: Numri i ndërmarrjeve importuese u rrit me 13.1% vitin e kaluar
Rritja e volumit tregtar me jashtë ka shtuar edhe numrin e ndërmarrjeve që merren me import-eksportin e mallrave. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i ndërmarrjeve importuese në vitin 2016 ka arritur në 10.038 nga 7.347 që ishte në vitin 2012, duke u rritur mesatarisht 6,2%. Krahasuar me vitin 2015, ky numër është rritur me 13,1%. Sipas madhësisë, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), për periudhën 2012-2016 zënë 98,2% në grupin e ndërmarrjeve importuese dhe në vitin 2016, këto ndërmarrje zënë 98 %.
Në ndërmarrjet importuese mbizotërojnë ato që operojnë në sektorin e tregtisë, ku përfshihen aktivitetet tregti me shumicë, tregti me pakicë dhe tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve. Për periudhën 2012- 2016, vlera e importeve të kryera nga ndërmarrjet që operojnë në tregti zë 54,4% të vlerës të importeve. Referuar të njëjtës periudhë, ky tregues ka pasur rritje mesatare prej 0,2%. Në vitin 2016, vlera e importeve kryer nga ndërmarrjet që operojnë në tregti është rritur me 5,1%, krahasuar me vitin 2015.
Përgjatë periudhës 2012-2016, gjysma e vlerës së importeve është kryer nga 50 ndërmarrjet më të mëdha. Në vitin 2016, nga 100 ndërmarrjet më të mëdha janë kryer 56,3% e importeve. Në periudhën kohore 2012-2016, 11,6% të importeve e zënë ndërmarrjet që importojnë vetëm nga një vend partner. Ndërsa në 2016 ky tregues është 10,6%.
Sa u përket llojeve të produkteve, në periudhën 2012-2016, në industrinë përpunuese janë importuar mesatarisht 58,3%, nga ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë dhe 31,9%, nga ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë përpunuese.
Në industrinë përpunuese, produktet ushqimore zënë mesatarisht 15,4%, produktet e koksit dhe nënprodukte të naftës të rafinuara zënë 17,2%. Në 2016, ndërmarrjet e tregtisë importuan 54,6% të produkteve nga industria përpunuese, duke u rritur 5,6%, krahasuar me vitin 2015 dhe 16, %, krahasuar me mesataren vjetore të kësaj periudhe. Në sektorin e industrisë, ndërmarrjet importuan 31,9% të produkteve industriale të përpunuara. Krahasuar me 2015, këto produkte rezultojnë me një rritje prej 12,5% dhe 13,2% krahasuar me mesataren vjetore të kësaj periudhe.