Ulet paga mesatare – INSTAT: Për vitin 2016 ra në 45.845 lekë
Paga mesatare mujore në ekonominë shqiptare pësoi rënie gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, paga mesatare ra në rreth 45,800 lekë, rreth një mijë lekë më pak krahasuar me vitin 2015.
Në vështrim të parë, rënia e pagës mesatare përfaqëson një lloj paradoksi, po të kemi parasysh trajektoren në përmirësim të ekonomisë gjatë vitit të kaluar. Sipas vlerësimeve të para të INSTAT, ekonomia u rrit me rreth 3.4%. Për një ekonomi në rritje, për më tepër me ritme të përmirësuara, nuk është e natyrshme që paga mesatare të bjerë. Sipas INSTAT, shkalla e punësimit në ekonomi arriti në 55.9%, me një rritje vjetore prej tre pikësh përqindjeje. Një shpjegim mund të jetë që rritja e punësimit gjatë vitit të kaluar është përqendruar në kategoritë me paga më të ulëta, çka ka sjellë edhe uljen e pagës mesatare.
Sidoqoftë, paga mesatare mujore bruto i referohet vetëm pagesave të ligjëruara dhe është llogaritur me të dhënat e deklaruara nga ndërmarrjet ekonomike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ndaj, rënia e pagës mesatare mund të jetë ndikuar edhe nga ulja e informalitetit dhe rritja e deklarimeve, që përgjithësisht bëhet me paga të ulëta. Duhet pasur gjithashtu parasysh se, edhe për vitin 2016, vetëm një pakicë e të punësuarve, rreth 41%, ishin të punësuar me pagë. Pjesa më e madhe e rezultojnë të vetëpunësuar apo si punëtorë pa pagesë në biznesin familjar.
Sipas INSTAT, vitin e kaluar shkalla mesatare e papunësisë ishte 15.2%, në rënie nga niveli 17.1% i vitit 2015. Papunësia ra sidomos mes të rinjve, duke zbritur në 28.9%, nga 33.2% që ishte për vitin 2015.