Tremujori i dytë 2018, papunësia rritet tek meshkujt, në rënie të femrat
Në tremujorin e dytë të vitit punësimi i është nxitur nga sektori fason, i cili ka ndikuar në uljen e papunësisë të gratë në raport me tremujorin e parë, teksa papunësia tek burrat ka ardhur në rritje.
Sipas INSTAT në tremujorin e dytë 2018, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 12,4 % në raport me 12.5 për qind që ishte në fund të tremujorit të parë të 2018, duke shënuar rënie me 0,1%. Por në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,5 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 12,9 % në tremujorin e dytë duke shënuar rritje me 0.3 % ne krahasim me tremujorin e parë. Ndërsa shkalla e papunësisë tek femrat ishte 11,8 % rreth 1,1 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.
Në tremujorin e dytë 2018, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,2 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve u rrit me 3,3 %, krahasuar me një vit më parë.
Në terma tremujorë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, punësimi pësoi një rritje prej 0,1 %. Në tremujorin e dytë 2018, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 12,4 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,5 pikë përqindje.
Krahasuar me tremujorin e parë 2018, shkalla zyrtare e papunësisë pësoi një rënie prej 0,1 pikë përqindje. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 68,0 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,2 pikë përqindje më e lartë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues ka mbetur në të njëjtin nivel.
Për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 59,5 %, ndërsa për meshkujt ky tregues është 76,6 %. Për meshkujt, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 17,1 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat është rritur me 1,8 pikë përqindje dhe për meshkujt është rritur me 0,9 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15- 29 vjeç është 49,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,3 %.
Punësimi, vendet reja të punës krijohen nga fasoni
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,2 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2017 në tremujorin e dytë të vitit 2018, është 3,3 %.
Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 7,1 % në sektorin e industrisë, e udhëhequr nga sektori fason, 3,4 % në sektorin e shërbimeve dhe 1,2 % në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2018, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rritje prej 0,1 %.
Punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 0,3 % dhe në sektorin e industrisë me 0,1 %, ndërsa sektori bujqësor mbetet në të njëjtin nivel.
Shkalla e punësimit për meshkujt është 66,3 %, ndërsa për femrat 52,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2,2 pikë përqindje dhe për femrat me 1,9 pikë përqindje.
Shkalla e punësimit të të rinjve është 37,9 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2018, shkalla e punësimit është 70,8 %.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 22,6 %. Në terma vjetorë, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2018 është 3,8 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e parë 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,9 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,6 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,2 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,4 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, popullsia ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) që ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake ishte 20,5 %; ku 11,0 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,6 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të dytë 2018, popullsia ekonomikisht jo-aktive prej 8,1 % (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Fig. 5Struktura e popullsisë ekonomikisht jo-aktive. (Monitor)