Të drejtat e Punëmarrësve, trajnim informues në Fier
Më 12 prill, në qytetin e Fierit, në ambjentet e qëndës rinore Epoka e Re u mbajt trajnimi informues i të rinjve të qytetit me temë : “Të drejtat themelore të punëmarrësve dhe detyrimet e punëdhënësve në marrëdhëniet individuale dhe kolektive të punës. Dialogu social në nivel rajonal dhe në nivel ndërmarrje – të rejat e fundit në legjislacion.”Në takim morën pjesë të rinj të grupmoshave të ndryshme që së shpejti do bëheshin pjesë e klasës puntore dhe që ndërkohë punonin. Eksperti u bëri një prezantim të shkurtër të rinjve me të drejtat dhe detyrimet që kanë në momentin që hyjnë në marrëdhënie pune. Gjithashtu, ai shpjegoi dhe si funksionojnë kontratat e punës dhe specifikat e kontratës kolektive të punës, duke marrë shembuj konkret që ai ndesh në punën e tij duke i bërë më të prekshme dhe konkrete për të gjithë anën teorike ligjore. Të rinjtë patën mundësi të kuptojnë paraprakisht se si funksionojnë marrëdhëniet e punës dhe ato që ishin ndërkohë në marrëdhënie pune shtruan një mori pyetjesh në lidhje me raste që ato ishin ndeshur në vendet e tyre të punës. Në këtë mënyrë ato kuptojnin edhe sesi duhet të kishte qënë qasja e duhur ndaj situatave apo incidenteve të ndryshme të ndodhura në vendin e punës.
Një pjesë të rëndësishme e diskutimeve ishte dhe dialogu social dhe rëndësia e tij. U përmend mungesa e dialogu të mirëfilltë social në vendin tonë, përpjekjet për të bërë dicka në lidhje me këtë dhe se si çdo vendim i marrë me anë të dialogut social është një vendim i cili ka baza të forta, të qëndrueshme që do të ndihmojë në vendimmarrje të suksesshme dhe në zgjidhje reale të konflikteve/problemeve/incidenteve në vendin e punës.