Siguria dhe shëndeti në punë, vetëm 11.3 % e bizneseve zbatojnë ligjin
Elvira është një nga shumë të punësuarat në bizneset e fasonerisë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë.
Ajo është 38 vjeç dhe ka 9 vite që punon në rrobaqepsi.
“Kam ndërruar disa vende pune dhe 3 vitet e fundit jam punësuar pranë kësaj kompanie”,- tregon ajo.
Nëse e pyet për të drejtat e saj sipas Kodit të Punës, një prej të cilave është dhe siguria e shëndetit në punë që duhet të ofrohet nga punëdhënësi, Elvira ngre supet në shenjë padije: “Nuk e di se ekziston ligj i sigurisë dhe shëndetit në punë. Mund te me thuash cfare eshte?”, thotë ajo.
Kompania ku është e punësuar Elvira ushtron aktivitetin në zonën e Porcelanit nuk ka te ngritur Këshillin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, deri në fund të vitit 2017, në rang kombëtar rezultonin të ngritura 860 të tillë.
Burimet zyrtare thonë se kjo shifër është rritur gati 2 herë në raport me 4 vjet më parë.
Sipas të dhënave të lartpërmendura, në vitin 2013 Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë ishin ngritur në 397 subjekte.
Megjithatë, kjo shifër mbetet e vogël në krahasim me numrin e ndërmarrjeve të regjistruara në vend.
Sipas të dhënave më të fundit që raporton Instituti i Statistikave, në total në Shqipëri operojnë 5902 kompani me 10-49 punonjës dhe 1690 kompani me mbi 50 të punësuar.
Referuar këtyre statistikave, nga 7592 kompani, vetëm 860 subjekte kanë zbatuar ligjin “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, ose rreth 11.3% e tyre.
Legjislacioni
Sipas ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, roli i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, është mbrojtja e të drejtave të punëmarrësve për sa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ky këshill është organ partneriteti këshillues në të cilin marrin pjesë përfaqësues të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përfaqësuar në mënyrë të barabartë.
Ai ka për qëllim këshillimin e rregullt dhe periodik të veprimtarisë së ndërmarrjes, për parandalimin e rreziqeve në punë. Përfaqësuesit e këshillit analizojnë problemet për parandalimin e rreziqeve në punë në ndërmarrje.
Kompetencat e këshillave lidhen me pjesëmarrjen në vlerësimin, hartimin dhe vënien në jetë të programeve të parandalimit të rreziqeve në ndërmarrje si dhe në nxitjen e nismave për mënyrat dhe procedurat e parandalimit efektiv të rreziqeve, duke i propozuar ndërmarrjes përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rreziqeve.
Punëdhënësi është i detyruar të zbatojë propozimet e bëra nga Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror.
“Këshillat e Sigurisë në Punë janë të rëndësishëm sepse janë instrumente ligjorë që merren me parandalimin e çdo rasti potencial rreziku në vendin e punës.
Edhe pse ligji parashikon që ato janë organe konsultative, nëse aty konstatohet një situatë jo e mirë për punonjësit, KSSHP-të këshillojnë punëdhënësin që ta korrigjojë këtë situatë .
Ky rekomandim që jepet nga Këshilli është i detyrueshëm të zbatohet nga punëdhënësi.
Pra, nëse ka një situatë të rrezikshme, këto këshilla janë të vetmet që mund ta konstatojnë këtë situatë dhe t’i rekomandojnë punëdhënësit rregullimin e saj”,-shpjegon Edison Hoxha, ekspert ligjor pranë Qendrës për të Drejtat në Punë, CLR.AL.
Sipas Hoxhës, në varësi të natyrës që ka çdo profesion shfaqen dhe problematikat me shëndetin. Hoxha thotë se nga e drejta ligjore për kushte maksimale në vendin e punës nuk përjashtohen dhe të punësuarit në administratë.
Referuar sektorit të fasonerisë, eksperti Hoxha thotë se punonjësit në industrinë fason janë të ekspozuar ndaj materialeve dhe lendeve te para te ndrsyhme qe mund te kene pasoja per shendetin. Pra mosngritja e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në këto ndërmarrje eshte arsyeja pse shqetësimet e punëmarrësve nuk marrin zë.
Legjislacioni në fuqi i jep kompetencë Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë që, në cdo rast mosrespektimi të propozimeve të tyre, ti drejtohen Inspektoriatit të Punës i cili sipas ligjit merr masa administrative ndaj punëdhënësit.
Funksionimi
Sa eficent janë Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë që ekzistojnë të ngritura pranë ndërmarrjeve?
Sa prej tyre e luajnë rolin si duhet, a u imponohen punëdhënësve duke kërkuar respektimin e ligjit për kushte sa më të mira pune dhe mbrojtje të shëndetit të punëtorëve?
Sindikalistët ndajnë të njëjtin shqetësim mes tyre se, roli i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë është i vakët për të mos thënë zero.
Arsyeja?
Shumica e këtyre këshillave ekziston vetëm në letër!
“Ekzistojnë ndërmarrje ku këto këshilla figurojnë vetëm në letër dhe nuk ushtrojnë asnjë aktivitet.
Punëtorët ankohen se punëdhënësi nuk ka thirrur asnjëherë Këshillat e Sigurisë e Shëndetit në Punë për të diskutuar mbi problematikat e tyre”,-shprehet Gëzim Kalaja, Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
“Mungesa e ngritjes së këtyre organeve sipas ligjit është një problem, ndërsa shqetësuese është dhe roli i tyre inekzistent në subjektet e biznesit ku rezultojnë të ngritura”, thotë Kol Nikollaj, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Edhe përfaqësuesi i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha ndan të njëjtin opinion me krerët e dy sindikatave të mëdha në vend, që në disa raste, Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë rezultojnë të ngritura vetëm formalisht, sepse në praktikë ato nuk e kanë ushtruar asnjëherë rolin e tyre.
“Mungesa e informacionit të punëmarrësve mbi rolin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë tregon qartë për inekzistencën e tyre si organ.
Kjo do të thotë se ato janë ngritur formalisht nga punëdhënësi, duke marrë disa punonjës të cilët nuk e kuptojnë rolin e vërtëtë të këtyre këshillave.
Të pyetur nga ne, punëdhënësit kanë pohuar rolin formal të Këshillave të Sigurisë, më shumë për të respektuar legjislacionin dhe shmangur penalitetet sesa si organ në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve’, thotë eksperti ligjor i Qendrës për të Drejtat në Punë.
Për Presidentin e BSPSH-së, Gëzim Kalaja, “një aspekt negativ në këtë rast ka krijuar edhe eleminimi i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Punës, që nuk ekziston më, por është shpërndarë sa tek Ministria e Financave dhe tek Ministria e Shëndetësisë.
“Në opinionin tim, të dyja strukturat nuk mund të bëjnë punën që bënte në atë kohë kur ishte në funksion Ministria e Mirëqënies Sociale dhe e Punës, me gjithë departamentet, qoftë edhe me departamentin e Sigurimit Teknik dhe Shëndetit në Punë, në fokus të të cilit ishte zbatimi i ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.
Këshilli Kombëtar i Punës mund të bëje të mundur azhornimin e strukturave mbi këtë problem, dhe deri në thirrjen e tij, këto këshilla do të mbeten në vakum të plotë”,-thotë Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja.
Po roli i Inspektoriatit të Punës?
Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së industrisë Fason shpreh pakënaqësi për punën e inspektorëve në terren.
Sipas tij, qëllimi i tyre janë vetëm gjobat ndaj biznesit kur konstatohen shkelje të ligjit, por nga ana tjetër vlerëson rolin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në biznesin fason.
Ndërsa Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, drejton gishtin tek puna e inspektorëve në terren që sipas tij calon.
Një arsye është dhe numri i tyre i vogël në raport me bizneset.
Nikollaj hedh dyshime për lidhjet e inspektorëve me pronarët e subjekteve, gjë që ka favorizuar mosfunksionimin si duhet të Këshillave duke dëmtuar kështu direkt punëmarrësin.
Eksperti i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha, thotë se kontrollet e inspektorëve duhet të fokusohen jo vetëm te dokumentacioni ku konstatojnë nëse janë ngritur ose jo Këshillat e Sigurisë në Punë.
“Inspektorati nuk mund të kontrollojë vetëm pjesën formale, por duhet të kontrollojë dhe aktivitetin e Këshillave, sepse sipas ligjit, ky organ duhet të mblidhet vazhdimisht në mënyrë periodike.
Ndërkohë që nga kontrollet e Inspektoriatit të Punës nuk ka të dhëna për rolin e Këshillave, nëse janë mbledhur dhe çfarë është diskutuar në këto mbledhje.
Kritika ndaj ISHPSHSH-së ka edhe Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja.
“Mendoj që në kohën kur ky dikaster ishte në varësi të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Punës ishte në lartësi të detyrës, por puna erdhi dalëngadalë duke u sfumuar.
Kjo ka të bëjë edhe me çështjen e marrëdhënieve dhe kontrolleve që bënte ky inspektorat dhe administratorëve të ndërmarrjeve, për të cilët ne nuk mund t’i nxjerrim të “pastër” në këtë drejtim.
Ka pasur shumë raste kur inspektorët kanë kryer kontrolle, por menjëherë pas largimit të tyre kanë ndodhur aksidente, që tregojnë se Inspektoriati i Punës nuk ka zbatuar ligjin”,-shprehet Kalaja.
Por sipas ekspertit ligjor të CLR.AL, Edison Hoxha kjo realizohet lehtësisht, pasi “inspektorët mund të marrin kontakt me punonjësit apo sindikatat, aty ku ekzistojnë dhe të informohen nga ata nëse këshillat funksionojnë apo jo”.
REKOMANDIMET
Kontrolli ligjor për funksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, sipas presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, KSPSH, Kol Nikollaj, realizohet vetëm përmes ngritjes së një Task Force e cila do të vërë para ligjit të gjithë subjektet që e shmangin këtë detyrim ligjor apo e zbatojnë atë vetëm në letër.
“Vëmendja nuk duhet të fokusohet vetëm te minierat, që gjithsesi janë më të përfaqësuarat nga ana e sindikatave dhe kanë një numër punonjësish që shkon në rreth 4000 vetë, por kemi sektorë të tjerë si ai fason, ku 95% e të punësuarve janë gra e që kanë rreth 100 mijë të punësuar”, thotë eksperti i Qendrës për të Drejtat në Punë, Edison Hoxha.
Sipas tij, është e nevojshme rritja e kapaciteteve të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në burime njerëzore, pasi konstatohet një numër mjaft i vogël inspektorësh në raport me subjektet që duhen monitoruar.
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.AL e konsideron të rëndësishme dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të këtij institucioni, i cili deri më sot duket se nuk ka kryer si duhet detyrën për vënien para ligjit të subjekteve të biznesit që nuk zbatojnë detyrimin e ngritjes së këshillave të sigurisë e shëndetit në punë.
Në fund, partnerët sindikalë kërkojnë nga institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të ligjit “Për sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, që të shtojë jo vetëm kontrollet për verifikimin e dokumentacioneve nga punëdhënësi, por edhe lidhjet me sindikatat me qëllim marrjen e informacionit të duhur nëse ligji zbatohet realisht apo jo.
Instrumentet ligjorë janë, por duhet të zbatohen”,-përfundon eksperti I CLR.AL, Edison Hoxha.
Ola Mitre, gazetare ekonomie ne tv “SCAN”