Akademia e Punës përmbyll sesionin e parë për 2018, kursantët marrin njohuri për ligjin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë
Akademia e Punës, e para organizmë e ngritur në Shqipëri për ofrimin e njohurive falas në fushën e marrëdhënieve të punës, ka përmbyllur me sukses sesionin e saj të parë 6-mujor për këtë vit.
Seanca përmbyllëse e Akademisë së Punës për këtë vit kishte si temë sigurinë dhe shëndetin në punë.
Të rinjtë pjesëmarrës në trajnim u njohën me ligjin “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, çfarë ofron legjislacioni i Punës në rastet ku cënohet shëndeti i punëmarrësit, për shkak të mosofrimit të kushteve të sigurisë teknike nga ana e punëdhënësit.
Gjithashtu gjatë trajnimit u diskutuan format e përfshirjes së punëmarrësve në çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Trajnerët e Akademisë u shpjeguan të rinjve se për suksesin e zbatimit të ligjit “Për sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, një rol të madh kanë dhe sindikatat të cilat duhet të insistojnë në ngritjen e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”, detyrim që rrjedh nga ligji.
“Këshilli është organ partneriteti këshillues me përfaqësues të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, i cili ka si qëllim këshillimin e rregullt dhe periodik të veprimtarisë së ndërmarrjes, për parandalimin e rreziqeve në punë”, theksuan trajnerët gjatë trajnimit të fundit.
Pjesëmarrja e punëmarrësve ka të bëjë me vlerësimin e riskut, analizën e problemeve, Trajnimin, edukimin, ndërgjegjësimin si dhe pjesëmarrjen në procesin e inspektimit.
Akademia e Punës do të startojë sërish në fillmit të vitit të ri me të tjera tema të rëndësishme për punëmarrësit e kryesisht sindikalistët, me qëllim forcimin e rolit të tyre për përmirësimin e marrëdhënieve të punës dhe të drejtave që burojnë nga Legjislacioni në fuqi.