Në mungesë të përpunimit në vend, qindra ton mineral në ditë nisen nga Kalimashi drejt Kosovës (fotot)
Shkatërrimi i fabrikave të përpunimit të mineraleve gjatë periudhës së tranzicionit nuk po e lë të ngrejë krye industrinë minerare të vendit për ti sjellë ekonomisë së vendit vlerat monetare që i takojnë. Në zonën mineralmbajtëse të Kalimashit ne Kukës qindra ton bokside të hekurnikelit po nxirren nga sipërfaqja, teksa dhjetëra kamionë në ditë furnizohen dhe e transportojnë atë për përpunim në Kosovë.
Fotot bashkëngjitur tregojnë kantierin, ku mineralet nxirret nga sipërfaqja e më pas transportohen për në Kosovë.
Punonjësit në kantier shpjeguan se në Kosovë është një fabrikë përpunimi që ndan squfurin nga minerali bruto dhe gjithashtu ndaj nikelin dhe lëndën e parë të hekurit.
Ne autostradën e Kombit, kostot e transportit për në Kosovë janë më të ulta, ndaj është më e lehtë shitja atje.
Rritja e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare ka rizgjuar interesin për shfrytëzimin në nxjerrje të rezervave të kromit dhe mineraleve të tjera.
Mirëpo teksa nxjerrja e mineraleve po bëhet në mënyrë të fragmentuar dhe shpesh jo e kontrolluar, mungojnë impiantet e përpunimit të mineraleve duke bërë që të humbë një pjesë e konsiderueshme e vlerës së tyre.
Industria minerare është një pjesë të rëndësishme në ekonominë e Kosovës, ndaj linjat përpunimit atje me gjithë problematiken që shfaqin nuk janë shkatërruar siç ka ndodhur në Shqipëri ku një pjesë e madhe tyre janë shitur për skrap.
Mineralet shqiptare transportohen për përpunim në një fabrikë ne Drenas të Kosovës, e cila i ka mbijetuar edhe bombardimeve të vitit 1999 dhe tranzicionit të shpërndarjes së ish -Jugosllavisë. Njësia e përpunimit të feronikelit atje është rikuperuar me investime të reja me 2007 duke e bërë atë të gatshme të përpunojë edhe sasitë shqiptare të mineraleve bruto.
Eksporti i mineraleve nisi me një ecuri të pozitive këtë vit por u zbeh gjatë muajve maj dhe qershor. Në rastin e “Mineraleve”, tendenca lidhet me një dinamikë pakësuese të çmimeve të huaja (të ofruara veçanërisht nga Kina) e nisur që në muajin maj.
Gjithsesi rritja e kërkesës globale për minerale po mban çmime të favorshme aq sa për nxitur edhe shitjen e mineraleve të papërpunuara nga nëntoka shqiptare.