Linjat interurbane në protestë – Mema: Korrupsioni po dëmton ekonomikisht 50 familje
Korrupsioni në mbivendosjen e linjave të autobusëve interurbanë, po dëmton ekonomikisht përfaqësuesit e rregullt të këtyre linjave. Sipas kreut të shoqatës Kujtim Mema, janë 50 familje të cilat kanë investuar për automjetet duke marrë kredi dhe që po dëmtohen çdo ditë nga konkurrenca e pandershme. Mema gjatë një proteste përballë Ministrisë së Transportit kërkoi dialog me institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi.
“Duke e shtypur këtë çiban, që kjo ka dy vjet kjo histori e kësaj linje, ku nëpërkëmben 50 familje të cilat janë pjesë e këtij transporti, janë pjesë prej 20 vitesh dhe vjen njëri sot “Ik ti se jemi ne” se kërkohet të bëhet monopol si linjë, ku është një biznesmen i cili ka ardhur nga Elbasani dhe kërkon edhe nga Tirana ta marrë, t’i heqë këto 50 familje dhe të jetë ai vasali i kësaj linje. Ne nuk do ta lejojmë”, tha Mema.
Kreu i shoqatës së autobusëve interurbanë paralajmëroi përshkallëzim protestash duke bllokuar rrugët kryesore, nëse Ministria e Transporteve nuk apelon çështjen e mbivendosjes së linjave.
“Atëherë ne kërkojmë që Ministria të apelojë se s’bën me çdo kusht. Ne prandaj do rrimë para Ministrisë, do të përshkallëzojmë protestat që Ministria në mënyrë sa më urgjente ta çojë në apel, ta ankimojë këtë që është bërë. Deri nesër do presim për zgjidhje. Të enjten ne këtu para Ministrisë, me mjetet, me familjet do të dalim, nëse nuk e çojnë në apel këtë gjë”, paralajmëroi Mema.
Përfaqësuesit e këtyre linjave ankohen se nuk po gjejnë asnjë përkrahje në kërkesat e tyre.
“Ne që punojmë prej 20 vitesh kemi ngelur jashtë loje. Sigurimet na ecin, taksat na ecin, mjetet kanë shërbimet e veta që jemi të detyruar. Ka gjashtë muaj që rrimë përpara derës së Ministrisë dhe nuk na jepet zgjidhje”, u shpreh për TV SCAN, Arif Kaloshi.
“Unë kam te shtëpia dy makina. Kam marrë një tjetër 40 mijë euro tani me borxhe. Tani ka marrë X-i në fjalë licencën. Asnjë sqarim, asnjë koment. Ka ardhur dje me makina 8+1, i ka futur në linja autobusësh”, thotë Albert Mullameti.
Linja Tiranë-Elbasan vijon të jetë një ndër linjat më problematike sipas Shoqatës së Autobusëve Interurbanë.