Hipi mbi oxhakun e uzinës – Flet naftëtari në Fier: Përfundova në rrugë se s’kisha paguar qeranë
Agim Myrdini, 60 vjeçari që tentoi të hidhej nga oxhaku 40 metra i lartë i UPN Fier, protestën ekstreme e ndërmori për shkak të varfërisë. Naftëtari që 40 vite të jetës ia ka kushtuar përpunimit të karburantit, vetëm pak ditë më parë u detyrua të largohej nga banesa me qera, për shkak se nuk e kishte paguar atë. Agimi kërkon nënshkrimin e kontratës së re të punës.
Agim Myrdini: U plotësua ajo vetëm për tre rrogat, gjërat e tjera nuk janë plotësuar.Nuk është ndryshuar as kontrata, asgjë.Ky është një veprim që nuk di si do marrë rrugëzgjidhje, do shkoj apo nuk do shkoj në punë të ushqej këtë familje që kam krijuar.
Naftëtari 60 vjeçar tregon se pas vdekjes së bashkëshortes së parë, dhe më pas vetëvrasjes së djalit të madh, e kanë ndjekur fatkeqësitë.
Agim Myrdini: Rrugëzgjidhje i kam dhënë vetes sime se nuk kam ku të shkoj më, nëse nuk do vërë dorë shteti… Tani po jetoj në mëshirë të fatit pasi edhe shtëpinë që kisha me qera ma ka bllokuar i zoti pasi nuk kisha mundësi të paguaja as dritat, 8 muaj. Qerane po ashtu se kisha paguar 6 muaj e ca. Mi ka bllokuar të gjithë plaçkat në shtëpi.
Agim Myrdini thotë se kanë qenë familjarët ata që e detyruan të zbriste nga oxhaku i uzinës dhe atyre u detyrohet krijimi i një mundësie për një jetesë më të mirë.