Seminar në Rafinerinë e Ballshit për “Ngritjen e këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”
Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social (CLRSD) në bashkëpunim me Sindikatën e Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh zhvilluan një seminar trajnues me fokus ndihmën e konsulencën ligjore në ngritjen e këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë në Rafinerinë e Ballshit, përfshirë degët Fier dhe Vlorë.
Seminiari u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i të drejtave në punë dhe dialogun social” me pjesëmarrjen e më shumë se 30 punonjësve të cilët merren aktualisht me çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë. Mes tyre ishin edhe përfaqësues të sindikatës, përfaqësues të punëdhënësit të cilët janë të angazhuar me sigurinë në punë, specialist të tjerë punonjës të angazhuar në sigurinë dhe shëndetin në punë.
z.Arian Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Qëndrës shpjegoi rëndësinë që ajo i kushton çështjeve të sigurisë, shëndetit në punë dhe rritjes së respektimit të të drejtave të punëtorëve. Në seminar mori pjesë si i ftuar edhe Z. Johan Schmidt, menaxher i programeve të Olof Palme International Center për Ballkanin Perëndimor. Ai përshëndeti në emër të Olof Palme International Center.
Të pranishmëve ju drejtua edhe përfaqësuesi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore të Drejtorisë Fier, i cili mbulon rajonin e Ballshit në të cilën ushtron aktivitetin kompania. Ai garantoi mbështetjen e vazhdueshme për të gjithë aktorët në proces, me synim garantimin e mbrojtjes maksimale të të drejtave të punëtorëve.
Përfaqësuesit e sindikatës së Përpunimit të Thellë të Naftës falënderuan CLRSD-në për organizimin e tryezës duke theksuar se është hera e parë që zhvillohet një trajnim i tillë. Ata garantuan mbështetjen dhe bashkëpunimin e sindikatës për ngritjen e Këshillit të Sigurisë dhe shëndetit në punë.
Administratori i Kompanisë ARMO përshëndeti takimin dhe shprehu angazhimin e tij për çdo iniciativë që rrit mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Znj. Frosina Gjino, Eksperte e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë theksoi rëndësinë e madhe që ka ngritja e këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë, mjeku i ndërmarrjes, vlerësimi i riskut në vëndin e punës, jo vetëm si detyrim ligjor por edhe si një instrument kryesor për të drejtat e punëtorëve. Ajo shpjegoi me detaje si procedohet për krijimin dhe funksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Të gjitha palët në këtë proces, përfaqësuesi I punëdhënësit, sindikata dhe ekspertët e sigurisë në punë në ndërmarrje, ranë dakord për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave, me qëllim realizimin e ngritjes së Këshillit të Sigurisë në punë. Ata u dakordësuan për të organizuar një takim në javët në vazhdim për të çuar më tutje axhendën e diskutimeve për ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në punë.