Në kushte të vështira, pa mbrojtje e informacion – Gjendja e të punësuarve në shumë sektorë në Shqipëri
Sindikatat e dobta dhe mungesave e kushteve në punë konsiderohen ndër problemet kryesore që hasin sot të punësuarit në Shqipëri. Një situatë që haptazi pranohet nga të gjithë, nga ata që për arsye nga më të ndryshmet pranojnë të punojnë në mungesë kushtesh, por edhe nga institucionet, që kanë në dorë të ndryshojnë këtë realitet. Qendra për të Drejtat në Punë evidenton në raportin vjetor se problematikë janë veçanërisht disa sektorë, si industria nxjerrëse, për të cilin ka pak ose aspak informacion
“Nisur nga intervista të kryera nga organizata të specializuara në vend dhe nga publikime të bazuara mbi praktikat e zbatuara në vend, por edhe nga informacione të mbledhura nga studiuesit e këtij dokumenti, të cilët kërkuan të mbeten anonimë, si dhe nga partnerë socialë konstatuam se ekziston pak informacion në dispozicion nga raste të mëparshme studimore apo raporte të lidhura me tregun e punës dhe sindikatat për industrinë nxjerrëse. Po ashtu edhe sindikatat për këtë sektor nuk kanë publikime të rregullta rreth punës së tyre, strategji apo dialogu me institucionet e shtetit të lidhura me këtë industri”, theksohet në raport.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Punës garantojnë të drejtat e punonjësve dhe lirinë për tu organizuar në sindikata për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Nëpërmjet organizimit të punonjësve në sindikata, sipas rregullave të ILO-s, kuadrit ligjor për sindikatat dhe sipas acquis communautaires të Bashkimit Europian, është konfirmuar vullneti dhe puna e kryer nga institucionet e vendit për të arritur përqasje për një sasi parimesh sipas acquis. Megjithatë, rregullimi i marrëdhënieve të punës është në proces përshtatjeje dhe përqasjeje me këtë kuadër ligjor të BE-së.
Kuadri ligjor ekzistues ka parashikuar përfaqësim në çështjet e shëndetit dhe të sigurisë në vendin e punës siç përcaktohet në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Ligji parashikon se nëse në një ndërmarrje janë të paktën 50 të punësuar të përhershëm, duhet të krijohet një këshill për shëndetin dhe sigurinë (Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë).
Ekspertët shpjegojnë se roli i Këshillit, si organi kryesor mbrojtës për punëmarrësit në fushën e shëndetit dhe sigurisë në vendet e mëdha të punës, është të kontribuojë për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor dhe sigurinë e punëmarrësve, si dhe për përmirësimin e kushteve të tyre të punës. Këshilli është një organ konsultativ. Por fatkeqësisht, sot pjesa dërrmuese e kompanive që e kanë detyrim ngritjen e një strukture të tillë, nuk e kanë atë.
“Në praktikë, përmbushja e kësaj kërkese ligjore nuk ka qenë e kënaqshme. Gjerësisht, ngritja dhe emërimi i përfaqësuesve në këshillat respektive ka qenë formale dhe fiktive dhe këto detyrime janë përmbushur deri në një shkallë të caktuar vetëm në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku ka qenë i pranishëm bashkëpunimi i ngushtë me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSH)”, theksohet në raport.
Qendra për të Drejtat në Punë evidenton se dobësitë e ISHPSH janë të dukshme, kur rezulton se vetëm 49% e minatorëve në sektorin minerar mbahen nga punëdhënësi gjithmonë ose shpesh të informuar mbi rreziqet për shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës.
Ndërkaq raporte të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile dhe media kanë vënë në pah kushtet e papërshtatshme të punës në sektorë si: nafta dhe sektori minerar, duke evidentuar raste flagrante të mos – respektimit të të drejtave të punëmarrësve, të tilla si: mospagimi i kontributeve të detyrueshme shoqërore, mospagimi për punë jashtë orarit apo ditët pushimi në javë.