CLR MBËSHTET SINDIKATËN E PUNONJËSVE TË QENDRAVE TË KONTAKTIT SPQK NË QËNDRIMET NDAJ BCONNECT
CLR mbështet Sindikatën e Punonjësve të Qendrave të Kontaktit SPQK në qëndrimet ndaj Bconnect, e cila sipas tyre tenton “të vrasë” Sindikatën.
E gjendur e pa përgatitur përballë organizimit dhe vendosmërisë së punonjësve të saj për t’i shkuar deri në fund luftës për të drejtat e tyre, kompania Bconnect ndërmori hapin e radhës me shpresën se do t’i shuante përpjekjet tona për të drejtat dhe për dinjitetin në punë.
Kompania Bconnect me të vetmin qëllim për të shuar punën e SINDIKATËS dhe organizimin e punonjësve për kërkesën e radhës:
PAGESA E DITËVE TË PUSHIMIT TË FESTAVE ZYRTARE PËR VITET 2016, 2017, 2018.
Vendosi të largojë nga puna 4 prej eksponentëve kryesorë të luftës ndaj padrejtësive.
Pa pikën e turpit, dhe me qëllim dashakeqës, kompania shkarkoi nga puna 3 prej drejtuesve të SINDIKATËS dhe një prej mbështetësve më të flaktë të saj.
Me këtë deklaratë, ne dëshirojmë t’i bëjmë të qartë kompanisë, se nuk ka “plumb”, që e vret SINDIKATËN.
Nuk ka “manovër” dhe “hile”, që na përçan e që na kthen nga rruga që me aq vendosmëri kemi nisur.
Do të luftojmë për të drejtat tona dhe për të drejtat e njerëzve që përfaqësojmë pa u trembur, dhe pa u tërhequr.
E drejta do të triumfojë!