Paradoksi i Shqipërisë/ Studimi: Rritje ekonomike pa punësim
Ndërsa ekonomia shqiptare ka pësuar vitet e fundit një rritje ekonomike relativisht të lartë, të përllogaritur në nivelet mesatare të 3.5-4%, një tregues i tillë nuk është reflektuar në tregun e punës. E thënë ndryshe, nuk janë hapur vende pune në korrelacion të drejtë me rritjen dhe as në sektorët që kanë kontribuar në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto.
Ky është një ndër përfundimet e studimit të kryer nga Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.
Studimi ka analizuar lëvizjet që ka pësuar tregu i punës, me ngritjet dhe uljet e tij përgjatë periudhës 2007 -2016, si përsa i përket pjesës që i përket punësimit, po ashtu edhe asaj të papunësisë. “Në gjithë këtë periudhë të studiuar, por edhe përpara saj, vërehet se pjesëmarrja e popullsisë së aftë për punë nuk ka një lidhje dhe reflektim me rritjen apo ngadalësimin e rritjes së ekonomisë përgjatë gjithë periudhës”, theksohet në studim.
Ekspertët e CLR-së shpjegojnë se kur lëvizja e tregut të punës, sipas sektorëve të ekonomisë krahasohet për një periudhë 5 vjeçare, duket se pesha e bujqësisë, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse kanë ardhur në rënie dhe kanë pasur rritje prodhimi, tregtia dhe shërbimet, si dhe shërbimet sociale.
“Një panoramë e tillë e tregut të punës është një tregues domethënës, i cili pasqyron situatën ende jo të stabilizuar të ekonomisë shqiptare, e cila reflektohet në lëvizjet e tregut të punës aspak simetrike me tendencën e rritjes ekonomike.
Ende mbetet problematike disbalanca midis peshës që kanë sektorët në rritjen ekonomike dhe asaj në tregun e punës”, konkludon raporti.