Ambasadorja kineze me urgjencë në Bulqizë
Aksidenti i Bulqizës ku u plagosën disa minatorë kinezë që po punojnë me kompaninë vendase koncensionare ka alarmuar Pekinin zyrtar. Gjatë gjithë ditës së sotme gati gjithë ambasada kineze ka mbërritur në qytetin e kromit, ndërkohë që në mbrëmje atje ka shkuar vetë ambasadorja e Kinës, Jiang Yu. Në Bulqizë ka shkuar edhe zv/ministri i Energjetikës dhe Industrisë menjëherë pas incidentit që la të plagosur 3 minatorë kinezë në minierën e kromit. Ndërkohë, 3 minatorë të tjerë, edhe ata shtetas kinezë, kanë mbetur të bllokuar në minierë, ku po punohej për hapjen e pusit të thellësisë. Tre minatorët e plagosur, të cilëve u erdhën në ndihmë ekipet e reagimit, ndodhen në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën. Incidenti ndodhi pas shpërthimit të gazit metan në një thellësi të madhe gati në 1 mijë metra nën tokë.