25 Shtator – Dita e Pagës së Jetesës/ Pagë Jetese për të Gjithë – Për Dinjitet dhe Mirëqenie
Më 25 shtator, në kuadër të Ditës së Pagës së Jetesës, Qendra për të Drejtat në Punë CLR bashkë me organizatat partnere të koalicionit shqiptar të Clean Clothes Campaign, Gender Alliance for Development Center (GADC) dhe Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror iu bashkuam fushatës globale të Clean Clothes Campaign, e cila u zhvillua njëkohësisht në 35 vende të botës, me një kërkesë të qartë dhe të panegociueshme: një pagë jetese të drejtë për të gjithë punëtorët.
Në Shqipëri, aktiviteti u organizua pranë digës së Liqenit Artificial në Tiranë, duke e kthyer këtë hapësirë publike në një vend dialogu, ndërgjegjësimi dhe solidariteti. Në qendër të kësaj dite ishin gratë punëtore nga sektori i prodhimit të këpucëve dhe veshjeve, të cilat ndanë përvojat e tyre dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë. Si pjesë e koalicionit kërkuam mbështetjen e qytetarëve për firmosjen e Deklaratës për Pagën e Jetesës.
Mesazhi i kësaj dite ishte i qartë: paga e jetesës nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e njeriut dhe një gur themeli i punës së denjë. Një pagë jetese duhet të mbulojë të gjitha nevojat bazë, ushqimin, strehimin, kujdesin shëndetësor, arsimin, transportin, veshmbathjen dhe të mundësojë edhe kursime minimale për siguri dhe dinjitet. Me fjalë të tjera, pagë jetese do të thotë mjaftueshëm për të jetuar, jo thjesht për të mbijetuar.
Megjithatë, realiteti në industrinë globale të modës mbetet shqetësues. Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se 97.3% e markave të anketuara nuk paguajnë një pagë jetese. Shumë punëtorë në rang global përfshirë edhe Ballkanin vazhdojnë të punojnë për paga që mbulojnë vetëm një të tretën e kostos reale të jetesës. Kjo industri, përveç shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve dhe praktikave të mbiprodhimit, është gjithashtu një kontribuese e madhe në ndryshimet klimatike dhe degradimin mjedisor.
Përballë këtij realiteti, kërkesa për pagë jetese mbetet një nga shtyllat kryesore të fushatës së Clean Clothes Campaign. Është koha që edhe punëtorët në Ballkan të paguhen drejt për punën e tyre. Është koha që dinjiteti, mirëqenia dhe drejtësia sociale të vendosen në qendër të zinxhirit global të prodhimit. Sepse paga e jetesës nuk është vetëm një çështje ekonomike – është një çështje dinjiteti njerëzor.
