• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Të rinjtë përballë politikbërjes

Të rinjtë përballë politikbërjes

Qendra për të Drejtat në punë /CLR, në kuadër të fushatës “Të Rinjtë për Punë të Denjë”, kërkoi një seancë të posaçme dëgjimore me Komisionin e Punës Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë me qëllim vendosjen në fokus të të rinjve dhe problematikave që ata hasin në botën e punës. Synimi kryesor i kësaj fushate është informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për të drejtat e tyre në punë, për kryerjen e një pune që respekton standardet e punës, zhvillimin profesional dhe dinjitetin njerëzor

Në seancën e posaçme dëgjimore që u zhvillua në ambientet e Kuvendit, kërkuar nga Qendra Për të Drejtat në Punë, një grup të rinjsh i drejtuan pyetjet dhe kërkesat e tyre Komisionit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Të pranishëm ishin edhe: Dajna Sorensen Zv. Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Irida Qosja dhe Eda Beqiraj nga Inspektoriati Shëndetësor i Punës. Në seancë u prezantuan problematikat që të rinjtë hasin në vendet e punës si dhe u diskutua:

  • Nevoja për përmirësimin e kurrikulave ekzistuese parauniversitare dhe universitare dhe hartimi i kurrikulave të reja për të drejtat në punë;
  • Formalizimi dhe standardizimi i shërbimeve të  këshillimit të karrierës në sistemin  e shkollës së mesme, si në profilin e përgjithshëm, ashtu edhe në atë profesional;
  • Rritja e masave të qeverisë dhe institucioneve monitoruese të ligjit të punës për luftimin e fenomenit të punësimit informal të të rinjve, sidomos në sektorët e turizmit, akomodimit dhe ushqimit;
  • Rritja e masave të kontrollit ndaj biznesit lidhur me respektimin e legjislacionit mbi  sigurinë dhe shëndetin në punë;
  • Mbrojtja e së drejtës së organizimit kolektiv dhe nevoja për ndryshime ligjore dhe institucionale me qëllim garantimin e saj në të gjithë sektorët, sidomos në atë privat, ku punëdhënësit marrin masa represive dhe shtypëse karshi çdo forme të organizimit kolektiv.
  • Diskriminimi gjinor në marrëdhëniet e punës dhe mbrojtja e veçantë e grave dhe vajzave në marrëdhëniet e punës, sidomos karshi ngacmimeve dhe dhunës të çdo forme në vendin e punës. Pikërisht për këtë arsye, CLR përmes zërit të të rinjve i kërkoi komisionit parlamentar që të shtynte përpara procesin e ratifikimit të Konventës më të re të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Nr. 190 “Kundër ngacmimeve dhe dhunës në botën e punës” dhe Rekomandimit Nr. 206.
  • Përmirësime të posaçme ligjore për standartizimine njohjes së praktikës dhe vullnetarizmit si kohë/eksperiencë pune, pasi mungesa e përvojës në punë është edhe çfarë i penalizon më së shumti të rinjtë në gjetjen e një pune në profesionin e tyre.
  • Më tepër informacion dhe transparencë për zbatimin e ligjit që ofron lehtësi fiskale për kompanitë që punësojnë të rinjtë, si dhe për fondin e veçantë të administruar nga Zv. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë për punësimin e të rinjve. 


Anëtarët e komisionit  duke çmuar çështjet e ngritura gjatë seancës dëgjimore, shfaqën mjaft interes dhe e ftuan Qendrën për të Drejtat në Punë dhe të rinjtë e pranishëm që të vijnë me propozime dhe rekomandime konkrete me qëllim respektimin dhe përmirësimin e  të rinjve në vend.

Qëllimi i Qendrës Për të Drejtat në Punë ishte që përmes kësaj seance të sillte në vëmendjen e politikëbërjes nevojën për më shumë investim institucional dhe ligjor për sigurimin e një punësimi të denjë për të rinjtë, i cili garanton qëndrueshmëri dhe prosperitet ekonomik.

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?