• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Shumë punëtorë për pak prodhim! Shqipëria ka produktivitetin më të ulët të punës në rajon

Shumë punëtorë për pak prodhim! Shqipëria ka produktivitetin më të ulët të punës në rajon

Shqipëria ka produktivitetin më të ulët të punës në Rajon dhe në Europë. Sipas një studimi nga ekspertë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, produktiviteti i punës në Shqipëri është sa një e treta e mesatares rajonale dhe sa një e pesta e 11 vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Produktiviteti i punës mat vlerën mesatare të prodhimit për punonjës ose për njësi kohë pune.

Në rastin konkret, studimi i BERZH e ka llogaritur produktivitetin e punës si raportin mes shitjeve totale të ndërmarrjeve me numrin e punonjësve të tyre. Një produktivitetet i ulët nënkupton një eficiencë të dobët dhe dizavantazh konkurrues për një ndërmarrje apo për një ekonomi. Për shembull, një biznes që prodhon 1 milion euro mallra me 100 punonjës është dy herë më produktiv se një ndërmarrje tjetër që e prodhon të njëjtën vlerë me 200 punonjës. Produktiviteti i dobët, në fakt duket të jetë një dobësi në të gjithë rajonin.

Sipas studimit të BERZH, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një produktivitet mesatar në sa 60% e 11 vendeve më të zhvilluar të BE. Sipas studimit, hendeku i produktivitit shkaktohet sidomos nga industria përpunuese, ku produktiviteti zbret në 55% të mesatares së BE-11. Në Shqipëri, produktiviteti i punës vlerësohet nga studimi në pak se 10 mijë euro në vit, nga rreth 30 mijë euro që është mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rreth 50 mijë euro në 11 vendet e para të BE-së. Në rajon, produktivitetin më të lartë e kanë Bosnja dhe Serbia, ndërsa edhe Kosova, që është e parafundit, ka një produktivitet pune rreth 50% më të lartë se Shqipëria.

Instat jep shifra më optimiste

Instituti i Statistikave jep vlera më të larta për sa i takon produktivitetit të punës në ekonominë shqiptare. Mbështetur në të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, 2015, produktiviteti mesatar i punës për sektorin privat të ekonomisë shqiptare është rreth 4.1 milionë lekë në vit për çdo të punësuar. Mesatarisht, produktivitet më të lartë ka dega e shërbimeve, me 4.2 milionë lekë në vit, kundrejt një vlerë pak më të ulët se 4 milionë lekë për sektorin e prodhimit të të mirave. Sektori me nivelin më të lartë produktivitetit të punës është tregtia, me 7.8 milionë lekë në vit, e ndjekur nga industria nxjerrëse me rreth 7 milionë lekë në vit. Nivelin më të ulët në të gjithë ekonominë e regjistron dega e hotel-restoranteve, me vetëm 780 mijë lekë në vit. Veçanërisht shqetësues është produktiviteti i dobët në sektorin e industrisë përpunuese, me vetëm 2.4 milionë lekë në vit. Ky sektor ka edhe peshën kryesore në punësim, pas tregtisë.

Si mund të rritet produktiviteti

Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë tre: sasia e investimeve në asete fikse, përdorimi i teknologjive të reja në prodhim dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës. Rritja e produktivitetit mund të arrihet duke adresuar kryesisht këta tre faktorë.

Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare ka nevojë për më shumë investime, përdorim teknologjie, por edhe të investojë më shumë në cilësinë dhe formimin e burimeve njerëzore. Në fakt, kosto e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë duket se janë kthyer në një lloj bumerangu për ekonominë shqiptare. Për shkak të pagave të ulëta, shumë ndërmarrje nuk investojnë mjaftueshëm në makineri, pajisje dhe teknologji të reja, çka do të mundësonte rritje të prodhimit pa shtuar kostot e punës. Një faktor tjetër mund të jetë alokimi jo eficient i kapitaleve.

Ekziston një konsensus i përgjithshëm lidhur me faktin që ekonomia shqiptare, ka vazhduar të kanalizojë investime të larta në sektorë ku rritja ishte saturuar, ku shembulli më tipik është ndërtimi. Përqendrimi i investimeve në sektorë ku potencialet për të rritur shitjet janë të dobëta sigurisht që nuk ndihmon përmirësimin e produktivitetit.

Një tjetër problem i prekshëm për ekonominë shqiptare është aftësia e fuqisë punëtore. Cilësia në rënie e sistemit arsimor dhe sidomos mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës ka thelluar hendekun e aftësive. Në dekadën e fundit, të rinjtë janë dyndur drejt universiteteve. Shumë ekspertë mendojnë se, të paktën në profesione të veçanta, kjo ka sjellë ofertë më të larta nga sa i nevojitet tregut të punës dhe, ç’është më e rëndësishmja, cilësia e të diplomuarve ka ardhur në rënie. Hapja e dyerve të universiteteve, pa filtra cilësorë, ka sjellë braktisjen e shkollave dhe kurseve të formimit profesional, duke varfëruar prurjet në profesione për të cilët tregu mund të ketë më shumë nevojë. Shumë sipërmarrës deklarojnë se, në rastet kur iu nevojiten punonjës, detyrohen t’i trajnojnë vetë. Edhe kjo ka një kosto në terma të produktivitetit.

Në këto kushte, është e vështirë që ekonomia të rrisë eficiencën dhe konkurrueshmërinë.

Rritja e produktivitetit përbën në thelb bazën e rritjes së standardit të jetesës. Kur një ekonomi rrit produktivitetin, ajo prodhon më shumë për njësi kohë pune. Rritja e produktivitetit sjell më shumë të mira dhe shërbime për konsum, pa shtuar presionet për rritjen e çmimeve.

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?