Punonjësit e pambrojtur nga mungesa e kontratave kolektive
Në Shqipëri, marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit janë të parregulluara në shumë industri. Mungesë informacioni, njohurie, por edhe kushte të imponuara, që në finale diktojnë probleme në punë, veçanërisht për të punësuarit.
Kontratat kolektive dhe ato individuale aplikohen sot vetëm në një pjesë të kompanive. Në shumë të tjera, veçanërisht në ata sektorë, ku shfrytëzohet krahu i lirë i punës, këto kontrata nuk zbatohen dhe rrjedhimisht, marrëdhëniet në punë mbeten të parregulluara.
“Kontratat kolektive dhe ato individuale janë pjesa që formaton dhe përmbledh marrëdhëniet e punës midis palëve, duke pasur referencë gjithë bazën ligjore që lidhet me të drejtat dhe detyrimet në marrëdhënien e punës. Situata e formalizimit të marrëdhënieve mes palëve është dialogu më i gjatë dhe ende i pambyllur midis palëve pjesëmarrëse, për arsyet që lidhen me ambientin real ekonomik dhe social.
Tregues tipik është vazhdimësia prej mbi dy dekada e tripartizmit, i cili ka nevojë për transformim, pasi konsiderohet si një mekanizëm që nuk ka më vend me zhvillimet e fundit në tregun e punës dhe ekonomi”, shprehen ekspertët e Qendrës për të Drejtat në Punë.
Përsa i përket mbulimit të kontratave, ekzistojnë shifra të ndryshme. Sipas të dhënave zyrtare, mbulimi me kontrata është në masën 45 për qind, ndërkohë që studime të tjera e llogaritin mbështetjen me kontrata në masën prej 23 për qind.
Funksionimi i kontratave kolektive
Ekspertët e Qendrës për të Drejtat në Punë shpjegojnë se kontratat kolektive, si modele aktuale komunikimi të drejtash dhe detyrimesh midis palëve funksionojnë në dy nivele:
1. Kontratë kolektive në bazë industrie
Këto kontrata lidhen ose në nivel kombëtar, ose në nivel ndërmarrje/shoqërie. Këto rregullojnë pagën minimale, dëmshpërblimet në rast pushimi nga puna, orët jashtë orarit, kohëzgjatjen e kontratës dhe aktivitetin e lirë të sindikatave, më shumë në nivelin e përgjithshëm, i cili përfshin të gjitha ndërmarrjet përkatëse.
Këtu bëjnë përjashtim administrata dhe ndërmarrjet shtetërore tashmë të privatizuara, por që kanë mbetur monopol, si p.sh. në fushën e energjisë. Në këtë rast lidhen kontrata ndërmjet ministrisë përgjegjëse/pronarëve të monopoleve dhe sindikatave përkatëse të degëve në nivel kombëtar, të cilat kanë njëkohësisht funksionin e kontratave kolektive të nivelit të parë.
2. Kontrata kolektive në nivel biznesi
Sektorët rregullatorë janë të njëjtët si në sektorin e industrive, por gjithsesi të përshtatur për biznesin përkatës. Partnerë kontraktues në këtë rast janë pronarët/punëdhënësit, menaxhuesit dhe organizatat përkatëse sindikale të punëmarrësit punëdhënësit.
Nëse në një biznes ekziston më shumë se një sindikatë, atëherë sindikata që vendos për kontratat kolektive është ajo që ka më shumë anëtarë. Natyrisht, si te kontrata kolektive në bazë industrie, po ashtu edhe këtu bashkohen shumë sindikata, në mënyrë që të negociohet dhe nënshkruhet një kontratë kolektive me punëdhënësit.
“Kontratat kolektive në nivel industrie mund të mbyllin boshllëqet që ekzistojnë në Shqipëri nga mungesa e kontratave kolektive në nivel biznesi. Kjo duhet parë si mundësi e mirë, në mënyrë të veçantë për sindikatat e industrisë, që duke zbatuar një politikë të mençur dhe duke treguar një interes të lartë bashkëpunimi, të fitojnë anëtarë të rinj dhe të ushtrojnë ndikim (social) politik.
Në ndryshim nga vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, kontrata kolektive në nivel biznesi nuk luan patjetër një rol dominant”, shpjegojnë ata.
Por, megjithëse kontratat dhe problematikat që i kanë shoqëruar ato mbetet problemi më i madh adresimi për zbatimin dhe zgjidhjen e situatave të rënduara të industrisë nxjerrëse.
Edhe pse kontratat në nën-sektorin e nxjerrjes së naftës dhe gazit tashmë janë një realitet, rastet e sëmundjeve profesionale në zonat naftëmbajtëse dhe sidomos tek naftëtarët janë shumë të larta, fakt që e bëri të domosdoshëm ndër të tjera miratimin e statusit.
Po kështu, edhe në kontratat e punës në nën-sektorin minerar nuk zbatohen në mënyrë të plotë marrëdhëniet e punës të dakortësuara mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Vetëm 24% e punonjësve në sektorin minerar kompensohen rregullisht me pushim ose pagë kur kryejnë orë shtesë.
Në lidhje me zbatimin e sigurisë në punë, veçanërisht në miniera situata është larg të qenit në zbatim korrekt të kushteve të kontratave mes palëve. Afër 58% e punonjësve në sektorin minerar kanë pësuar apo kanë qenë dëshmitarë të një aksidenti në vendin e punës gjatë 12 muajve të fundit.
“Në këtë kontekst, sindikatat duhet që të mos kërkojnë vetëm rregulla më të mira, të përshtatura nga qeveria dhe nga biznesi/politika, por njëkohësisht ta prezantojnë veten në publik e më gjerë me argumentet dhe tonin e duhur komunikues që të zgjerojnë dukshëm në këtë mënyrë edhe bazën e rekrutimit për anëtarë të rinj të sindikatës”, shprehen ekspertët.
Sipas tyre, ekziston një numër i madh shoqatash në sektorët e industrisë që mbulojnë pjesërisht degët përkatëse dhe që mbahen më shumë nga cilësitë e presidentit të tyre sesa nga pjekuria e sektorit përkatës për t’u përfaqësuar nga një shoqatë.
Kjo larmi dhe paqartësia lidhur me to, se kush përfaqëson kë, ja u bën të vështirë sindikatave, që të gjejnë partnerët e duhur për të bashkëpunuar për dialogun social në nivelin industrie (si në qarqe dhe industri, po ashtu edhe në nivel kombëtar).
Në këtë kuadër, shoqatat shqiptare të biznesit/industrisë sillen më shumë si frenuese të reformave, sepse ato nuk rrezatojnë asnjë lloj detyrimi për modernizim, jo vetëm për Shoqërinë Shqiptare në përgjithësi, por edhe për sindikatat në mënyrë të veçantë.
Me gjithë copëzimin e madh, duket sikur shoqatat shqiptare të biznesit dhe industrisë arrijnë të bëjnë më shumë lobim te suksesshëm se sa sindikatat. Kjo lidhet sigurisht me pabarazinë e përgjithshme ndërmjet kapitalit dhe punës, ashtu siç i gjen në të gjithë botën dhe që nuk është nevoja të sqarohen më shumë këtu.