“Politikat sociale dhe Punësimi”, CLRSD partnere aktive me shoqërinë civile në tryezën e delegacionit të BE
Në datat 6 dhe 7 nëntor, Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social (CLRSD) mori pjesë në takimet konsultative të shoqërisë civile, të zhvilluara me inisiativën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Këto takime kishin si temë prezantimin e problematikave mbi punësimin dhe zbatimin e legjislacionit të punës, të cilat do të përfshihen në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë.
Ekspertët e CLRSD diskutuan mbi Politikat Sociale dhe Punësimin në vend ku analizuan konkretisht gjendjen aktuale në vend, bazuar dhe në gjetjet e raportit të monitorimit të programeve politike të partive gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit, që u publikua në media në muajin shtator, projekt i financuar nga Fondacioni suedez “The Olof Palme International Center”.
Në prezantimin e tyre gjatë seancave konsultive me partnerë sindikalë dhe organizata ndërkombëtare, ekspertët e CLRSD bënë një vlerësim të përgjithshëm dhe të situatës së respektimit të të drejtave të punëtorëve në Shqipëri, nisur nga zhvillimet e fundit në lidhje me legjislacionin e punës, dialogun social.
Me interes për të pranishmit ishte dhe vlerësimi i dialogut social në Shqipëri, respektimi i një prej komponentëve më të rëndësishëm në Axhendën e Punës së Denjë, sipas konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, në nivel të përgjithshëm kombëtar dhe vendor.
Giithashtu ekspertët e Qendrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social (CLRSD) paraqitën një situacion të problematikës së zbatimit të legjislacionit për sigurinë e shëndetit në punë, si një nga degët më të rëndësishme të legjislacionit të punës.