Fushata “Të rinjtë për punë të denjë”
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR për të shënuar Ditën Botërore të
Punës së Denjë, zhvilloi fushatën sensibilizuese “Të rinjtë për punë të
denjë” e cila u organizua në disa rajone të vendit, nga data 07-21tetor.
Kjo fushatë u zhvillua me mbështetjen e çmuar të Olof Palme International Centre, Sida – Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete
dhe Ambasadës së Suedisë nëTiranë, si dhe në bashkëpunim me organizatat
partnere: Qendresa Qytetare, Epoka e Re, Qendra Rinore Vlorë, Lëvizja
Rinore Pukë, Shoqata per Integrimin e Zonave Informale SHIZI – AIIA dhe Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës.
Synimi kryesor i ideimit dhe zhvillimit të një fushate si kjo, është
informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për të drejtat e tyre në punë, për
kryerjen e një pune që respekton standardet e punës, zhvillimin profesional dhe
dinjitetin njerëzor.
Në vijim mund të informoheni më hollësisht
mbi ecurinë dhe aktivitetet e një fushate intensive dhe mbresëlënëse.
07 TETOR 2019 – TIRANË
FORUM I HAPUR tek Reja e Tiranës
“Të rinjtë për të rinjtë”
Të
rinj me përvoja të ndryshme pune, aktivistë shoqërorë, përfaqësues të
sindikatave dhe punëdhënësve, ekspertë të pavarur, artistë, njerëz të
medias, personalitete të fushave të ndryshme ishin udhëheqësit
shpirtërorë dhe aktorët kryesore të kësaj fushate.
E tillë
ishte dhe dita e parë e fushatës e cila u zhvillua tek Reja e Tiranës me një
forum të hapur me temë “Tërinjtë për të rinjtë”.
Të rinj me përvoja të ndryshme pune, diskutuan mbi eksperiencat e tyre,
njohuritë mbi të drejtat në punë, sigurinë në punë, vullnetarizmin, angazhimin
dhe organizimin kolektiv. Të ftuar ishin të rinj nga bota e medias si Ori
Nebiaj, Aurora Sulce, Adriatik Lapaj, Roland Saro dhe të rinj të tjerë si
Flogerta Driza ish e punësuar në call center, Klajton Micaj kamarier dhe
student i juridikut, dhe Besim MatoshiLider sindikalist i sindikatës suedeze IF Metal.
Ndërsa në kornizat e Resë qëndruan të ekspozuara fotografi të realizuara nga të
rinjtë e organizatës partnere “Epoka e Re”, Fier, që pasqyronin realitete të
larmishme të jetës së punës në vend.
8 TETOR
Video mesazhe nga personalitete të botës së punës, aktivistë shoqërorë, njerëz të artit dhe kultures
Përgjatë gjithë ditës Qendra për të Drejtat në Punë, CLR u angazhua në transmetimin online, në web dhe në rrjetet sociale, të video-mesazheve sensibilizuese për rritjen e vetëdijësimit dhe për më shumë veprime konkrete kolektive dhe angazhim të përbashkët në njohjen, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave në punë.
Spoti Ballëlartë për punë të denjë
http://clr.al/te-rinjte-per-pune-te-denje/
Organizohuni kolektivisht
http://clr.al/besim-matoshi-organizohuni-kolektivisht/
Njihuni me të drejtat tuaja në punë
http://clr.al/flogerta-driza-njihuni-me-te-drejtat-tuaja-ne-pune/
10 TETOR
KUVENDI I SHQIPËRISË SEANCË DËGJIMORE E TË RINJVE
ME KOMISIONIN PARLAMENTAR TË PUNËS, ÇËSHTJEVE SOCIALE DHE SHËNDETËSISË
Qendra për të
Drejtat në punë /CLR, në kuadër të fushatës “Të Rinjtë për Punë të Denjë”,
kërkoi një seancë të posaçme dëgjimore me Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale
dhe Shëndetësisë me qëllim diskutimin eproblematikave që të rinjtë shqiptarë hasin në botën e punës.
Në seancën e posaçme dëgjimore që u zhvillua në ambjentet e Kuvendit, grupi i
të rinjve vullnetarë të organizatave partnere të CLR-së për zhvillimin e
fushatës, i drejtuan pyetjet dhe kërkesat e tyre Komisionit të Punës, Çështjeve
Sociale dhe Shëndetësisë.
Të thirrur nga Komisioni për t’iu përgjigjur problematikave të ngritura nga të
rinjtë ishin edhe Zv. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Dajna Sorensen, si dhe përfaqësues të Inspektoriatit Shtetërortë
Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Në seancë u prezantuan problematikat që të
rinjtë hasin në vendet e punës si dhe u diskutua:
- Nevoja për përmirësimin e kurrikulave ekzistuese parauniversitare dhe universitare dhe hartimi i kurrikulave të reja për të drejtat në punë;
- Formalizimi dhe standardizimi i shërbimeve të këshillimit të karrierës në sistemin e shkollës së mesme, si në profilin e përgjithshëm, ashtu edhe në atë profesional;
- Rritja e masave të qeverisë dhe institucioneve monitoruese të ligjit të punës për luftimin e fenomenit të punësimit informal të të rinjve, sidomos në sektorët e turizmit, akomodimit dhe ushqimit;
- Rritja e masave të kontrollit ndaj biznesit lidhur me respektimin e legjislacionit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë;
- Mbrojtja e së drejtës së organizimit kolektiv dhe nevoja për ndryshime ligjore dhe institucionale me qëllim garantimin e saj në të gjithë sektorët, sidomos në atë privat, ku punëdhënësit marrin masa represive dhe shtypëse karshi çdo forme të organizimit kolektiv.
- Diskriminimi gjinor në marrëdhëniet e punës dhe mbrojtja e veçantë e grave dhe vajzave në marrëdhëniet e punës, sidomos karshi ngacmimeve dhe dhunës të çdo forme në vendin e punës. Pikërisht për këtë arsye, CLR përmes zërit të të rinjve i kërkoi komisionit parlamentar që të shtynte përpara procesin e ratifikimit të Konventës më të re të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Nr. 190 “Kundër ngacmimeve dhe dhunës në botën e punës” dhe Rekomandimit Nr. 206.
- Përmirësime të posaçme ligjore për standartizimine njohjes së praktikës dhe vullnetarizmit si kohë/eksperiencë pune, pasi mungesa e përvojës në punë është edhe çfarë i penalizon më së shumti të rinjtë në gjetjen e një pune në profesionin e tyre.
- Më tepër informacion dhe transparencë për zbatimin e ligjit që ofron lehtësi fiskale për kompanitë që punësojnë të rinjtë, si dhe për fondin e veçantë të administruar nga Zv. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë për punësimin e të rinjve.
Anëtarët e komisionit duke çmuar çështjet
e ngritura gjatë seancës dëgjimore, shfaqën mjaft interes dhe e ftuan Qendrën
për të Drejtat në Punë dhe të rinjtë e pranishëm që të vijnë me propozime dhe
rekomandime konkrete me qëllim respektimin dhe përmirësimin e të rinjve në vend.
Qëllimi i Qendrës Për të Drejtat në Punë ishte që përmes kësaj seance të sillte në vëmendjen e politikëbërjes nevojën për më shumë investim institucional dhe ligjor për sigurimin e një punësimi të denjë për të rinjtë, i cili garanton qëndrueshmëri dhe prosperitet ekonomik.
10 TETOR
MUZEU HISTORIK KOMBËTAR
TË RINJTË DHE SINDIKATA – ÇIFTIM I VËSHTIRË?
Me qëllim
prezantimin e
programeve sindikale të rekrutimit të të rinjve në sindikata dhe në kuadër të fushatës
“Të Rinjtë për Punë të Denjë”, Qendra
për të Drejtat në punë /CLR, zhvilloi në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar
një takim të lirë me fokusvendosjen e të rinjve përballë përfaqësuesve sindikalistë.
Të rinj nga shkollat e mesme, universitetet dhe nga bota e punës u vendosën
përballë një paneli me drejtues të sindikatave të ndryshme sektorale kombëtare,
shërbimet publike, arsimi, shërbimet policore, tregëtia, turizmi,
agropërpunimi, telekomunikacioni, tipografia, nafta dhe gazi si dhe sektorë të
tjerë industrialë.
Diskutimet më të ndezura u zhvilluan mbi çështjet e organizimit kolektiv dhe dialogut social, efikasitetin e sindikatave sot, nevojën e modernizimit të tyre dhe kontaktin real që sindikatat duhet të kenë me rininë.
Ndër diskutimet që ngjallën më shumë debat ishte ai mbi mjetet që disponon një sindikatë(dialogu social dhe aksioni sindikal ), për të arritur objektivin kryesor, atë të mbrojtjes së interesit më të lartë të punëmarrësve shqiptarë. Gjithashtu gjatë diskutimeve doli imediate nevoja e reformimit dhe modernizimit të sindikatave për t’i bërë më tërheqëse dhe më përfshirëse për të rinjtë.
Në përfundim të diskutimeve Qendra për të Drejtat në Punë /CLR, konstatoi se është e domosdoshme arritja e një sinergjie mes të rinjve dhe sindikatave, në mënyrë që sindikatat të rrisin anëtarësinë dhe përfaqësueshmërinë e tyre, duke u legjitimuar si partnerë të rëndësishëm socialë, pjesë e vendimmarrjeve kyçe social-ekonomike përmes rritjes së peshës së tyre negociuese. Roli i sindikatave që të rinjtë të gjejnë në vendet e punës mirëqenien dhe dinjitetin, për të mos u larguar nga vendi për një botë më të mirë pune është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm.
Mirëqenia, dinjiteti dhe barazia sociale mund të arrihen këtu, nëpërmjet organizimit kolektiv në vendin e punës dhe krijimin e kushteve për punë të denjë. Të gjithë aktorët më të rëndësishëm të mbrojtjes së të drejtave të punës në vend, duhet të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare, përmes ngritjes së programeve, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe solidaritetit me qëllim arritjen e këtij objektivi fisnik.
11 TETOR
ARTI DHE TË DREJTAT NË PUNË
DESTIL, TIRANË
Qendra për të
Drejtat në Punë, në kuadër të fushatës Të Rinjtë Për Punë të Denjë, projektoi
në ambjentet e Destil Bar, filmin AMERICAN FACTORY / Ndërmarrja Amerikane – Një
Luftë për të Drejtat e Punëtorëve, dokumentar mbi përpjekjet e punëtorëve
amerikanë të një fabrike në Ohio për të mbrojtut të drejtat e tyre.
Pas mbylljes së fabrikës nga General Motors dhe blerjes së saj nga kompania
kineze Fuayo Glass, punëtorët amerikanë u përballën më një kulturë të ndryshme
pune…
Një prodhim i NETFLIX me mbështetjen e Barack dhe Michelle Obama.
Në mbyllje të eventit u zhvillua një diskutim i hapur mbi masat represive që ndërmerr
biznesi për të penguar punëmarrësit që të ushtrojnë të drejtat e tyre në punë
dhe për mënyrën sesi sindikatat duhet të kryejnë rolin e tyre të vështirë në
mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve. Të rinjtë u orientuan ta shohin
sindikatën jo si të shkëputur nga ata vetë, por pjesë të tyre në vendin e punës,
sepse pa anëtarë dhe pa mbështetje sindikata është tepër e dobët për të përballur
fuqinë e punëdhënësve në botën e
kapitalit. Punën e Denjë si tematika kryesore e trajtuar në filmin dokumentar.
14 TETOR FIER
EKSPOZITË FOTOGRAFIE
“PUNA PËRMES SYVE TË TË RINJVE SHQIPTARË”
Në vazhdën e fushatës “Të rinjtë për punë të denjë”, CLR dheorganizata partnere “Epoka e Re” nxitën të rinjtë aktivistë të dokumentonin përmes fokusit të aparatit fotografik,aspekte të ndryshme të punës së njerëzve që jetojnë dhe punojnë në qytetin dhe fshatrat përreth Fierit, në rajonin e së cilt “Epoka e Re” zhvillon aktivitetin. Fillimisht të rinjtë u trajnuan nga fotografi i njohur Feliks Bilani, i cili përmes një trajnimi dy ditor i ndihmoi të rinjtë të njiheshin dhe mësonin disa prej teknikave fotografike që do t’iu nevojiteshin për të fokusuar realitetet e ndryshme të botës së punës. Më pas të rinjtë nën udhëheqjen dhe kujdesin e mjeshtrit Bilani, arritën të sillnin me ndjeshmëri dhe inteligjencë artistike shumëllojshëmrinë e realiteteve të ndryshme të punës, duke filluar nga bujqit dhe fermërët deri tek profesionet intelektuale.
Fotografitë e të rinjve, u paraqitën në një ekspozitë shëtitëse përgjatë gjithë periudhës së kohështrirjes së fushatës. Më datë 14 Tetor 2019, ekspozita u rikthye në qytetin nga ku morën jetë duke gjallëruar mjediset e parkut të Fierit dhe duke përcjellë mesazhet e punës së denjë edhe ndër qytetarët e Fierit.
15 TETOR, Pazari i Ri , TID Tirana
FLASH- MOB
“VALLËZO PËR TË DREJTAT NË PUNË”
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.AL, organizoi ditën e Martë 15 Tetor te Pazari i Ri , TID Tirana eventin FLASH – MOB “Vallëzo për të Drejtat në Punë”.
Studentë nga Shkolla e Mesme Kombëtare e Koreografisë, performuan
vallëzimet dhe koreografitë e përgatitura prej tyre në një shfaqje
publike të jashtëzakonshme. Aktiviteti synon njëkohësisht nxitjen e
vullnetarizmit, solidaritetit dhe ndërveprimit midis të rinjve,
organizatave rinore, sindikatave dhe grupeve të tjera shoqërore që
përfaqësojnë interesat e të rinjve në botën e punës drejt një punësimi
të qëndrueshëm dhe të denjë si e vetmja rrugë për të sjellë një jetë të
denjë dhe zvogelim të largimit të të rinjëve nga vendi.
Edhe FLASH-MOBI u shoqërua nga ekspozita shëtitëse “PUNA PËRMES SYVE TË TË RINJVE SHQIPTARË”
17 TETOR 2019,VLORË
DEGJESË MES TË RINJVE DHE INSTITUCIONEVE VENDORE TË PUNËS
INFORMIM NË TERREN I TË RINJVE
Qendra për të drejtat në punë / CLR , në datën17 tetor 2019 organizoi në qytetin e Vlorës, përpara Pallatit të Kulturës Labëria, dëgjesën publike mes të rinjve dhe institucioneve vendore të punës.
- Në
focus ishin:
Aksesi në punësim dhe respektimi i të drejtave në punë të të rinjve; - Promovimi i ideve të reja për të ulur shkallën e papunësisë;
- Shtimi i praktikave profesionale;
- Informimi mbi të drejtën e pajisjes me kontratë gjatë ushtrimit të praktikës;
- Njohjen e praktikës si përvojë pune.
Aktiviteti u përmbyll me ekspozimin e fotografive të përgatitura nga Qendra për të Drejtat në Punë dhe organizatat partnere, me tematikë nga eksperiencat e ndryshme të të rinjve në vendet e punës.
18 TETOR 2019
FORMIMI PROFESIONAL BASHKËKOHOR, DURRËS
Në Durrës Qendra për të Drejtat në Punë, CLR në bashkëpunim me organizatën partnere CSDC Durrës, organizoi pranë qendrës së formimit profesional Smart Center një diskutim të hapur mbi formimin profesional bashkëkohor, mbi mundësitë për punësim dhe mbi standardet e punës.
Të rinjtë pjesëmarrës u angazhuan në diskutime mbi përparësitë e formimit profesional dhe problematikat që has punësimi në qytetin e Durrësit. Pyetjet më të shumta ndaj ekspertëve të CLR-së lidheshin me kontratën individuale të punës dhe mbi kontratat part-time.
Ndërsa përfaqësuesit e Qendrës për të Drejtat në Punë shpjeguan edhe misionin e tyre për të informuar dhe mbështur të rinjtë me programe që iu japin mundësi për të ushtruar të drejtat e tyre për të përmirësuar kushtet e punës dhe jetesës.
19 TETOR 2019, PUKË
SESION INFORMIMI DHE DISKUTIMI ME TË RINJTË
Në qytetin e Pukës, Qendra për të Drejtat në Punë në bashkëpunim me Lëvizjen Rinore Pukë, zhvilloi një sesion informimi dhe diskutimi me të rinjtë duke sjellë në vëmendje aksesin në punësim dhe respektimin e të drejtave në punë.
Aktiviteti ne Puke u zhvillua ne ambjentet e Levizjes Rinore Puke me pjesëmarrje të të rinjve të punësuar në sektorë të ndryshëm si në fasoneri dhenë administratën vendore.
Problemi kryesor me të cilin përballen të rinjtë e këtij qyteti të vogël është papunësia e si rrjedhojë edhe largimi i rinisë drejt qyteteve më të zhvilluara të Shqipërisë ose emigracionit. Ata pak të rinj të cilët vendosin të qendrojnë përballen me rroga të ulëta. Shpesh nevoja për të siguruar një vend pune shoqërohet me firmosjen e kontratave të punës pa e lexuar më parë përmbajtjen e saj dhe pa u informuar mbi të drejtat në punë.
Këto tema dhe të tjera që lidhen me Punën e Denjë u shqyrtuan nga përfaqësuesit eQendrës për të Drejtat në Punë, e cila qëndron e angazhuar në informimin dhe mbështetjen e punëmarrësve për ushtrimin e të drejtave të tyre në vendet ku punojnë.
21 TETOR 2019
FORUM INFORMIMI I TË RINJTË PËR PUNËN E DENJË Kamëz
Në ditën përmbyllëse të fushatës “Të Rinjtë për Punë të Denjë”, Qendra për të Drejtat në Punë/CLR në bashkëpunim me Shoqatën për Integrimin e Zonave Informale – SHIZI, organizoi në qytetin e Kamzës Forumin informues me të rinjtë mbi të drejtat në punë dhe punën e denjë.
Prezantimi i të rinjve me legjislacionin e
punës dhe të drejtat në punë, është hapi i parë për të kërkuar në të ardhmen,
në vendet ku do të punësohen, kushte më të mira pune dhe respektimin e tyre.
Ndër të tjera në këtë forum u trajtuan edhe tema si: Sa të informuar janë të
rinjtë mbi institucionet përgjegjëse për respektimin e të drejtave në punë? A i
njohin të rinjtë sindikatat? A janë të mjaftueshme njohuritë që merren në
bankat e shkollës mbi temën e sigurisë në punë? Çfarë është puna e denjë?
Informimi i të rinjve mbi sindikatat, funksionin e tyre dhe dobinë e të vepruarit në mënyrë të organizuar si dhe përshtatja e formave të organizimit kolektiv me botën e punës e cila ndryshon shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme, ishte një temë tjetër që u trajtua në këtë bashkëbisedim të hapur.
Kjo fushatë e parë është veçse fillimi i një angazhimi afatgjatë i Qendrës për të Drejtat në Punë për fuqizimin e të drejtave të të rinjve në punë me qëllim garantimin e një të ardhmeje më të mirë pune për të rinjtë shqiptarë, brenda Shqipërisë.