CLR prezanton studimin për mbrojtjen sociale dhe 3 propozime për qeverinë
Qendra për të Drejtat në Punë prezantoi të hënën, më 25 Janar, një studim që synon përmirësimin e mbrojtjes sociale për kategorinë e pensionistëve, të vetëpunësuarve dhe punonjësve familjarë.
Studimi i kryer nga ekspertët Zaim Bajkratari dhe Aurela Gjokutaj doli me tre propozime përfundimtare për Këshillin e Ministrave, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Kujdesit Shëndetësor, si dhe administratën tatimore.
Tre problematikat e identifikuara lidhen me kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të pensionistëve që ushtrojnë veprimtari ekonomike, deklarimi dhe pagimi i kontributeve për personat që punojnë si punëtorë shtëpie dhe së fundmi për llogaritjen e kontributit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes.
Sipas ekspertëve të studimit, Zaim Bajraktari dhe Aurela Gjokutaj, pensionistët e punësuar nuk marrin asnjë përfitim për kontibutet e detyrueshme që ata paguajnë përtej viteve të detyrueshme të kontributit. Aktualisht ata nuk përfitojnë rillogaritje pensioni për kontributet shtesë pas daljes në pension.
Propozimi i parë i studimit prek kontributet e detyrueshme të pensionistëve të cilët vazhdojnë të punojnë në sektorin privat edhe pas daljes në pensionin e pleqërisë.
Propozimi i dytë lidhet me kontributet e personave që punojnë si punëtorë shtëpie në shërbime si kujdestar fëmijësh, kuzhinier, pastrues, asistent për të moshuarit, të cilët sipas një VKM-je të vitit 2015 paguajnë kontribut miminal mujor në shumën 3.948 lekë.
Propozimi i tretë lidhet me bazën e llogaritjes së kontributit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Ekspertët sugjerojnë që pensionistët të tërheqin pensionin dhe të mospaguajnë kontribute pavarësisht zhvillimit të aktivitetit në sektorin privat.
Autorët e studimit propozojnë që kontributi i detyrueshëm i sigurimit shëndetësor për të punësuarit të jetë paga brenda kufirit të pagës minimale dhe maksimale; ndërsa për të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe ata që bëjnë sigurimin vullnetar kontributi i detyrueshëm të llogaritet sipas pagës minimale.
Studiuesit argumentojnë se përfitimet dhe trajtimet nga skema e sigurimeve shëndetësore nuk kanë dallim mes këtyre personave.
Ata argumentojnë se ndryshimi ligjor për t’i lejuar të vetëpunësuarit të paguajnë kontribute bazuar në pagë minimale dhe jo në dyfishin e saj do të ulë evazionin fiskal pasi do të nxisë ata të deklarojnë të ardhurat reale.
Në mbyllje të prezantimit të studimit të mbështetur nga “Olof Palme International Center” në Shqipëri, drejtuesi i CLR, Edison Hoxha u shpreh se propozimet e studimit do të diskutohen me grupet e interesit dhe më pas do t’i prezantohen qeverisë për të parë mundësitë e përmirësimit të kuadrit ligjor.