CLR ndjek mbarëvajtjen e punës në sektorë të ndryshëm të prodhimit gjatë pandemisë
Qendra për të Drejtat në Punë CLR është duke ndjekur mbarëvajtjen e punës në sektorë të ndryshëm të prodhimit në të cilët puna vazhdon. Në sektorin e naftës dhe në disa sektorë të përpunimit industrial mbetet problem për adresim transporti i punonjësve, të cilët kanë mundësi të udhëtojnë me makinat e tyre.
Bazuar në rregullat e vendosura nuk është e mundur që punonjësit të udhëtojnë për në vendet e tyre të punës me makinat e tyre personale, por duhet të udhëtojnë të gjithë me transport të përbashkët, i cili nuk garanton largësinë e duhur të punonjësve nga njëri-tjetri brenda automjetit (autobuz) për t’i mbrojtur ata nga Covid-19.
Në këto kushte CLR sapo i është drejtuar Ministrisë përkatëse për adresimin e këtij problemi që përveç të tjerave nuk u lejon punonjësve të sektorëve të prodhimit që të marrin më vete edhe mjete të tjera të domosdoshme (ujë në sasira të mëdha, etj) në këtë kohë emergjence, të cilat në vëndin e tyre të punës në prodhim nuk i garantohen nëqoftëse nuk i marrin me vete.