• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

CLR: Mbështet apelin ndaj Qeverisë Shqiptare nga Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë

CLR: Mbështet apelin ndaj Qeverisë Shqiptare nga Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë

Shqipëria po kalon momente të vështira si pasojë e Covid-19 dhe përhapjes së shpejtë të tij në disa zona e rajone të vendit.
Masat e marra nga qeveria janë të domosdoshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë, ndaj duhen mirëpritur nga të gjithë. Rregulli e disiplina janë sfida kryesore në përballimin e kësaj gjendjeje.
Duhet të nxjerrim në pah punën e palodhur e sakrificën e stafit mjekësor, i cili me orare të zgjatura e në kushte të vështira, po përballon fluksin e krijuar me pacientë të prekur nga ky virus.


Por, krahas stafit mjekësor, duhet të evidentojmë mijëra punonjës të Shërbimeve Policore në Rend e Burgje, si dhe Zjarrfikësit në 61 bashkitë e vendit..!


Policia e Shtetit ka infrastrukturë e mjete më të përshtatshme për kryerjen e detyrës në komisariatet respektive, po ashtu edhe Shërbimi Zjarrfikës, i cili është i dislokuar në pikat e afërta me qendrat e bashkive, ndërsa shërbimi policor më në vështirësi në këto momente decizive është Policia e Burgjeve, e cila shërben në 24 institucione të shpërndara në çdo cep të Republikës së Shqipërisë.


Policia e Burgjeve, e cila vazhdon të jetë e diskriminuar në pagë, pa mjaftueshmëri në mjete logjistike e kushte pune, me mungesë transporti për në vendin e punës, pa vakt ushqimor gjatë turnit të shërbimit si dhe nën stres e trysni përballë krimit të organizuar, vazhdon të përballojë me sukses dinamikën e punës në çdo sektor shërbimi.


Duhet thënë se, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve, me ato pak resurse financiare e burime njerëzore, kanë vënë në zbatim një plan masash të lavdërueshëm, ku objektiv kryesor është mbrojtja e jetës së stafit dhe shtetasve të dënuar e paraburgosur.


Stafi drejtues e zbatues po përballojnë me sukses situatën emergjente, por nuk ka mjaftueshmëri financiare në motivimin e punonjësve, pasi janë rritur shpenzimet personale të punonjësve në transport dhe ushqim, të cilat duhen garantuar nga punëdhënësi shtet..!


Nisur nga kjo dhe për të qenë sa më bashkëpunues në mirëfunksionimin e shërbimit të sigurisë në burgje, kërkojmë nga Qeveria Shqiptare dhënien e një fondi emergjent në zërin e pagave për një shpërblim mujor deri 15.000 lekë të rinj për punonjësit e policisë dhe stafin civil në burgje, duke garantuar se motivimi për ta do të ishte në lartësinë e duhur.


Nëse stafit mjekësor që po përballet direkt me situatën, i është premtuar nga Qeveria deri 1000 euro shtesë në pagën mujore, Sindikata jonë po kërkon 10 herë më pak, pra vetëm 15000 lekë shtesë në pagën mujore në stafin e burgjeve, shumë kjo, e cila mbulon ato shpenzime që ligjërisht i takon shtetit t’i sigurojë!
Respekti për shërbimet e sigurisë jetike, është sukses i garantuar në zbatimin e ligjit në çdo lloj situate të vështirë!

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?