• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Akademia e Punës 2026 – Kontratat e punës dhe Organizimi sindikal

Akademia e Punës 2026 – Kontratat e punës dhe Organizimi sindikal

Në kuadër të Akademisë së Punës, Qëndra për të Drejtat në Punë zhvilloi një sesion të dedikuar mbi kontratat e punës dhe organizimin sindikal, me synim forcimin e njohurive të pjesëmarrësve mbi të drejtat në punë dhe rëndësinë e veprimit kolektiv.

Gjatë këtij diskutimi u trajtuan disa nga temat më thelbësore që lidhen me marrëdhëniet e punës, duke përfshirë historinë e organizimit të punëtorëve dhe zhvillimin e lëvizjeve sindikale ndër vite. Një vëmendje e veçantë iu kushtua të drejtave që burojnë nga kontrata e punës, mënyrës se si ato garantohen në praktikë, si edhe boshllëqeve që ende ekzistojnë në zbatimin e legjislacionit të punës.

Sesionin e pasuruan diskutimet me Prof: Lorenc Gordani dhe Znj. Emira Mitrushi, të cilët sollën perspektiva akademike dhe praktike mbi sfidat aktuale që hasin punëmarrësit në vendin e punës. Përmes analizës së rasteve konkrete, u trajtuan çështje që lidhen me pasigurinë në punë, respektimin e kontratave, si dhe rolin e dialogut social në përmirësimin e kushteve të punës.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të ndajnë përvoja personale dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e solidaritetit, organizimit kolektiv dhe fuqizimit të punëtorëve si instrumente thelbësore për mbrojtjen e të drejtave në vendin e punës. Diskutimi u zhvillua në një format interaktiv, duke nxitur pjesëmarrje aktive dhe shkëmbim të hapur idesh. Njohja e të drejtave në punë mbetet hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt fuqizimit të punëmarrësve dhe ndërtimit të marrëdhënieve më të drejta e më të balancuara të punës.

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Olof Palme International Center, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të promovuar drejtësi sociale, punë dinjitoze dhe forcimin e kapaciteteve të aktorëve në fushën e marrëdhënieve të punës në Shqipëri.

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?