“Smart Trade Unions” – Trajnim për përfshirjen aktive të sindikatave në proceset reformuese
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR), në kuadër të projektit “Smart Trade Unions”, mbështetur nga Swedish Institute dhe zbatuar nga ABF Västerås në partneritet me CLR, organizoi më 25 shkurt 2026 një trajnim të posaçëm me përfaqësues të sindikatave nga sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike në nivel vendor. Trajnimi u fokusua në qasjen që duhet të kenë sindikatat në nivel rajonal dhe vendor ndaj procesit të integrimit evropian, si një proces me ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e punës dhe në standardet e mbrojtjes së punëtorëve.
Në kushtet kur punonjësit e administratës dhe shërbimeve publike në nivel vendor mbajnë peshën kryesore të zbatimit të legjislacionit që buron nga procesi i integrimit, roli i tyre bëhet thelbësor për garantimin e standardeve evropiane në praktikë. Megjithatë, në shumë raste, informacioni dhe njohuritë lidhur me procesin e integrimit evropian, acquis communautaire dhe legjislacionin e punës mbeten minimale ose mungojnë tërësisht. Kjo situatë krijon sfida serioze si në përfaqësimin sindikal, ashtu edhe në mbrojtjen efektive të të drejtave të punëtorëve në nivel lokal.
Trajnimi trajtoi në mënyrë të detajuar disa shtylla kryesore:
- Qasjen e përfaqësuesve sindikalë në nivel vendor në diskutimet periodike për pagat dhe kushtet e punës, duke theksuar nevojën për argumentim të bazuar në standardet evropiane dhe në praktikat më të mira të dialogut social;
- Përfshirjen aktive të sindikatave në ngritjen dhe funksionalizimin e strukturave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si mekanizma të domosdoshëm për parandalimin e rreziqeve dhe garantimin e kushteve të denja të punës;
- Angazhimin më të strukturuar të sindikatave në procesin e zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në nivel vendor, një proces që tashmë ka filluar dhe që kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe partnerëve socialë.
Përmes diskutimeve interaktive, analizave të rasteve konkrete dhe shkëmbimit të përvojave mes sindikatave nga sektorë të ndryshëm, pjesëmarrësit patën mundësi të identifikojnë sfidat kryesore në terren dhe të hartojnë rekomandime praktike për forcimin e rolit të tyre në nivel lokal dhe rajonal.
Ky trajnim synoi fuqizimin e sindikatave si partnerë të rëndësishëm në dialogun social dhe në proceset reformuese që lidhen me integrimin evropian. Duke rritur kapacitetet e tyre për analizë, advokim dhe pjesëmarrje aktive, CLR dhe partnerët e saj kontribuojnë në ndërtimin e një lëvizjeje sindikale më të informuar, më të strukturuar dhe më të përgatitur për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në kuadër të standardeve evropiane.
