Punësimi përmes panaireve, Biznesi: Duhet të jenë më të shpeshtë, Shqipëria, nevojë për punësim
Shqipëria ka nevojë për punësim, ndaj duhet një numër më i lartë panairesh të cilët ofrojnë vende punë për të rinjtë dhe forca të kualifikuara për bizneset. Kështu është shprehur nënkryetari i Dhomës së Tregtisë të Kryeqytetit, Arben Shkodra në çeljen e panairit të punës të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.
“Para një jave ne kishim panairin tonë të punësimit, këtë javë në vijim inaugurojmë panairin e UET për punësimin. Unë besoj që për panaire të tilla mund të ketë nevojë Shqipëria çdo dy muaj, sepse interesi është mjaft i madh. Unë shoh 50 kompani me shumë emër në Shqipëri, të cilat kalojnë nga një panair në një tjetër. Do të thotë se ka shumë interes që ato të kenë punonjës të kualifikuar dhe ku më mirë se sa tek këto panaire dhe ku më mirë se te UET mund të gjejnë ato çfarë kërkojnë”, u shpreh Shkodra.
Presidenti i UET, Adrian Civici nënvizoi se universitetet duhet të profesionalizojnë dhe kjo arrihet nëse lidhesh ngushtë me tregun. Civici shtoi se ky panair është tregues i arritjes së kësaj objektive nga UET
“Universiteteve u duhet të profesionalizojnë. Nuk mjafton vetëm të përgatitësh qytetar të informuar, qytetar të kulturuar, që njeh demokracinë, që njeh vlerat etike dhe shumë elementë të tjerë, por duhet edhe ta profesionalizosh. Dhe që ta profesionalizosh duhet të jesh i lidhur në mënyrë të ngushtë me tregun e punës, me korporatat, me gjithë zhvillimet që ka një shoqëri, apo edhe në mënyrë globale gjithë bota sot.Besoj se kjo që po bëjmë ne sot është treguesi më i mirë i kësaj filozofie të re, i kësaj tendence të re”, tha Civici.
Mbi 150 vende pune nga 52 kompani të ndryshme u ofruan përmes panairit të punës 2017, në fushat e telekomunikacionit, atë bankar dhe siguracioneve. Ky është viti i 8 i panairit të punës i organizuar nga UET.