• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Helmimi i punëtorëve të fasonerisë në Durrës, CLR.AL dhe partnerët e saj kërkesë publike qeverisë për hetim të ngjarjes

Helmimi i punëtorëve të fasonerisë në Durrës, CLR.AL dhe partnerët e saj kërkesë publike qeverisë për hetim të ngjarjes

KËRKESË PUBLIKE

 INSTITUCIONET SHTETËRORE TË MARRIN MASA URGJENTE PËR SIGURINË E SHËNDETIN NË PUNË

DHE ZBATIMIN E KODIT TË PUNËS, TË PUNONJËSEVE TË SEKTORIT TË TEKSTILEVE E KËPUCVE

 

Drejtuar

  • Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
  • Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë
  • Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
  • Erinda Ballanca, Avokate e Popullit
  • Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, Inspektoriati Qendror
  • Arben Seferi, Kryeinspktor, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shëndetësore
  • Anita Jella , Prokurore, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Durrës
  • Alfred Çepe, drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Durrës

 

Tiranë, 28 Maj 2018. Të shtunën paradite, në datë 26 Maj 2018, në mjediset e shoqërisë “Lovers Albania”, degë e shoqërisë “Lovers Romania”, me administrator një shtetas Italian dhe me vendndodhje në Shkozet, Durrës, u helmuan për shkaqe të panjohura mbi 20 punonjëse gra, midis të cilave gra shtatzëna.

Për një ngjarje të tillë po hetohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet kompetente të shëndetit publik.

Ne po ndjekim hap pas hapi, zbardhjen e plotë e të shpejtë, të ngjarjes duke patur parasysh që ky nuk është rasti i parë që gratë e vajzat punëtore në fabrikat e tekstileve e këpucëve helmohen masivisht në vendin e punës[1].

Në pritje të informacioneve të sakta në lidhje me shkaqet e këtij helmimi, kërkojmë të tërheqim vëmendjen dhe të marrim sqarime për çështjet më poshtë:

  1. Siguria dhe shëndeti në punë për gratë e vajzat, punonjëse të sektorëve të tektileve e këpucëve mbrohet nga ligji nr.10237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” në Republikën e Shqipërisë.

Punëdhënësit e çdo sektori në zbatim të këtij ligji, kanë detyrimin e zbatimit të masave që synojnë garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë të punëtorëve nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eleminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident, sigurimin e pajisjeve mbrojtëse, informimit, këshillimit, formimit të punëtorëve e të përfaqësuesve të tyre për çdo rrezik në vendin e punës.

Pavarësisht kuadrit të plotë ligjor dhe institucioneve të mirëpërcaktuara për zbatimin e tij, gratë dhe vajzat e këtij sektori vazhdojnë të punojnë në kushte pune të rrezikshme, të ekspozuara ndaj lëndëve kimike, fizike e biologjike për të cilat nuk informohen dhe për rrezikshmërinë e të cilave nuk kanë dijeni.

Nga investigimet tona, këshillat e sigurisë e shëndetit në punë në pjesën më të madhe të rasteve ose nuk ekzistojnë, ose janë fiktive dhe të organizuara nga punëdhënësit sa për të qenë në rregull me dokumentacionin e punës, megjithë detyrimin për ngritjen në ndërmarrje të këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë, si  të vetmet organe partneriteti këshilluese mes përfaqësuesve të punëdhënësve dhe punëtorëve  për parandalimin e rreziqeve në punë dhe garantimin e shëndetit.

  1. Dita e shtunë është kthyer në ditë rutine pune për të gjitha punonjëset e sektorit të këpucëve e tekstileve.

Megjithëse, të shtunave punohet rregullisht në të gjitha fabrikat e tekstileve e këpucëve kjo punë nuk përkthehet në pagë sipas Kodit të Punës. Sipas nenit 83 të Kodit të Punës kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë.

Më tej Kodi i Punës në nenin 90 shprehet se punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit.

Më tej, thuhet se Punëdhënësi për orët shtesë të punës që nuk janë kompensuar me pushim duhet t’i paguajë punëmarrësit pagën normale dhe një shtesë jo më pak se 25 për qind të saj. Sipas raportimeve të grave e vajzave punonjëse në fabrikat e tekstileve e këpucëve ato bëjne rreth 300 – 400 orë shtesë në vit dhe mezi marrin pagën minimale.

Ato deklarojnë pothuajse të gjitha që nuk e shohin kurrë pushimin vjetor me sy. Ka prejt tyre që kanë punuar 4 – 5 vite rresht pa pushim të paguar. Ato nuk përfitojnë pushim të paguar as në rast sëmundjeje ose kujdesi për fëmijët

Shumë gra e vajza shqiptare punojnë në “të zezë” pra nuk u paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore.

Edhe në rastet kur paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore, gratë e vajzat punonjëse të fabrikave të tekstileve e këpucëve, kur duhet të marrin raport për shkak të shëndetit të lënduar nuk u paguhet dita e punës.

  1. Shoqëri të ndryshme të tekstileve e këpucëve që operojnë në Shqipëri kanë kontrata kolektive me punonjësit/et[2].

Sipas investigimeve tona punonjëset nuk e kanë lexuar kurrë kontratën dhe nuk janë në dijeni të të drejtave që lindin nga kjo kontratë. Ndërkohë që detyrimet iu bëhen mjaft të qarta vazhdimisht nga punëdhënësit.

Nga ana tjetër sindikatat janë organizatat e vetme shoqërore të legjitimuara për të rregulluar marrëdhënien e punës mes punëtoreve dhe punëdhënësve, për të negociiuar pagat dhe kushtet e punës dhe për të ndërmarrë veprime kolektive në interes të kërkesave dhe të drejtave të ligjshme të punëtorëve.

Por në realitet gratë punonjëse nuk i njohin e nuk kanë asnjë kontakt me përfaqësues të tyre.

Shumica e sindikatave nuk kanë anëtarësi të mirëfilltë sindikale dhe përfitojnë nga mekanizmi i lidhjes së kontratave fiktive kolektive me punëdhënësit për të legjitimuar praninë e vet dhe përfituar nga punonjëset në një ndërmarrje apo sektorë të caktuar.

Sindikatat i kanë lënë në baltë gratë e vajzat punonjëse në fabrikat e tekstileve e këpucëve, duke lejuar abuzime dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Gjithë sa më sipër, ka krijuar terren që punëdhënësit e këtij sektori të vazhdojnë me abuzimet dhe me padrejtësitë ndaj punëtoreve duke përfituar nga statusi i tyre i brishtë ekonomiko-social dhe edukimi i tyre i pamjaftueshëm.

Rasti i helmimit të grave punonjëse  të shoqërisë “Lovers Albania” është një ndër shembujt flagrantë të gjithë problematikave të shprehura më sipër. Në mbrojtje të vajzave dhe grave të lënduara në këtë fabrikë, ne kërkojmë të hetohet dhe bëhet transparencë lidhur me

 

  • Faktorët që helmuan mbi 20 gra e vajza në shoqërinë “Lovers Albania” në punë e sipër.
  • Inspektimet e punës dhe ato shëndetësore të kryera në këtë shoqëri dhe ekzaminimin e dokumentit të vlerësimit të riskut dhe personave përgjegjës për hartimin e tij.
  • Hetimin e funksionimit të aktivitetit të Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë brenda kësaj fabrike, duke bërë transparencë me emrat e këshillit të sigurisë e shëndetit në punë dhe mënyrën si janë zgjedhur ata dhe cfarë funksioni kanë kryer sipas ligjit.
  • Hetimin e kushteve të punës dhe pagesës së grave të kësaj shoqërie, situatën e respektimit të kontratës së punës dhe zbardhjen e mbrojtjes ligjore apo sociale që gratë do të përfitojnë si rrjedhojë e aksidenteve me pasojë cënimin e shëndetit në punë, siç përcaktohet nga ligjet në fuqi.
  • Hetimin e aktivitetit të sindikatës që vepron në këtë fabrikë dhe të përmbajtjes së kontratës kolektive të lidhur me punëdhënësin.

Jemi në pritje të një hetimi të paanshëm, të plotë dhe me përgjegjësi!

  • Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
  • Qendra për të Drejtat në Punë
  • Qendra Aulona – Vlorë

Për më shumë kontaktoni:  Edison Hoxha, Qendra per Te drejtat ne Pune, CLR.AL/NR TEL: 0694702057/EMAIL:info@clr.al

Raporto shkeljet në punë në nr.pa pagesë: 08001818

[1] http://opinion.al/video-grate-helmohen-ne-fabriken-e-kepuceve-ja-si-eshte-gjendja-e-tyre/

[2] Kontrata Kolektive e Punës: lidhet ndërmjet sindikatës apo sindikatave më të përfaqësuara dhe punëdhënësit ose organizatës së punëdhënësve dhe është një kontratë që përmban dispozita mbi kushtet e punësimit, lidhjen, përmbajtjen dhe përfundimin e kontratave individuale të punës, formimin profesional, si dhe mbi marrëdhëniet midis palëve kontraktuese

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?