Sindikatat dhe Shoqëria Civile : “ Së bashku për punën e denjë ”
Me rastin e 10 vjetorit të Ditës Botërore për Punë të Denjë, Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social në bashkëpunim me Qendren Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe shoqatën Together for Life , ne Bashkepunim me Bashkimin e Sindikatave te Pavarura te Shqiperise (BSPSH) dhe me disa sindikata autonome te sektorit te hidrokarbureve dhe sherbimeve publike, me pjesmarrjen e Organizates më të madhe të punëdhënësve në Shqipëri “Biznes Albania”, Avokates së Popullit dhe aktorëve të ndryshëm të partive politike dhe shoqërisë civile, me mbështetjen e Olaf Palme Center organizuan një event duke sjellë bashkë gjithë aktorët kryesorë në lidhje me punën e denjë për të promovuar zgjidhje të përbashkëta.
Në këtë event shoqeria civile bashkohet me sindikatat për të kerkuar dhe sensibilizuar të gjitha palët por sidomos qeverinë dhe punëdhënësit për të garantuar për të gjithë punëmarrësit shqiptar punë produktive në kushtet e lirisë barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Takimi u moderua nga Z. Arian Hoxha, drejtues ekzekutiv i Qendrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social. Z. Hoxha në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbajtjes të një aktiviteti të përbashkët me të gjithë partnerët dhe aktorët kryesorë dhe se fokusi primar është mbajtja e një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm mes partnerëve social, punëdhënësve, punëmarrëve me të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Gjithashtu, për vazhdimësinë e aktiviteteve të tilla do jetë e nevojshme krijimi i një platforme gjithëpërfshirëse për punën e denjë me përfaqësues të ndyshëm të cilët kanë fokus, punojnë, mbështesin apo kanë ndikim në përmirësim e situatës së punës së denjë. Pikë kyce janë dhe fushatat e sensibilizimit dhe lobimit për punën e denjë, e kjo duhet arrirë me një bashkëpunim dhe me përpjekje të mëdha vecanërisht nga ana e sindikatave, të cilat janë një faktor i rëndësishëm për këtë cështje. Së fundmi, Z. Hoxha foli dhe në lidhje me angazhimin që CLRSD ka marrë që të lobojë pranë qeverisë që të bëhet e mundur firmosja e Paktit Global për Punën e Denjë brenda vitit të parë të qeverisjes.
Z. Gëzim Kalaja President i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme te CLRSD për trainimin e strukturave sindikaliste të BSPSH dhe theksoi se sa rëndësi ka bashkë punimi në nivel të tillë me një pjesëmarrje kaq të gjerë . Ai foli për rëndësinë që ka puna e denjë , promovimi i mundësive që burrat dhe gratë të fitojnë një punë të denjë dhe produktive në kushtet e lirisë, barazisë, sigurisë e dinjitetit njerëzor dhe se si BSPSH ka ndërtuar platformë ekonomike e sociale me objektiva konkrete në kuadrin e punës së denjë. Gjithashtu, z. Kalaja foli për kontributin që kishin dhënë për përmirësimin e metodave të hartimit e zbatimit të akteve ligjore të punës, rëndësine e kontratave kolektive që kanë qënë fokus i BSPSH-së . Lëvizja sindikaliste do të vazhdojë të jetë oponencë konstruktive në mbrojtje të demokracisë të dimensionit të saj social.
Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca, në emër të Institucionit që përfaqëson, foli për gjëndjen momentale në Shqipëri dhe problematikat jo vetëm me punën e denjë, por me vetë ekzistencën e punës dhe sa e domosdoshme është nevoja për ndryshime thelbësore në këtë fushë në vendin tonë. Së dyti, përmendi problematikat me legjistlacionin, rolin e Avokatit të Popullit dhe rapotet e publikuara që mund t’ju vijnë në ndihmë të gjithëve për përmirësime të mëtejshme. Me këtë rast ju bëri ftesë të gjitha autoriteteve dhe institucioneve që kur vjen fjala për të bërë diçka për dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve, të jenë të gjithë së bashku për të bërë gjithçka.
Z. Bashkim Sala, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës më të madhe të Punëdhënësve në Shqipëri “Biznes Albania”, foli për vëmendjen e vecantë që i kushtohet punës së denjë që nga hartimi i legjislacionit deri në zbatimin në praktikë nga ana e tyre. Ai theksoi që duhet të punojmë shumë që zbatimi mos të lëri shumë për të dëshiruar. Përmirësimi i cilësisë së punës dhe sigurimi i kushteve më të mira e më të sigurta të punës kontribuojnë në një standart më të mirë të jetesës dhe dinjitetit njerëzor; faktorë të cilët sjellin rritje të produktivitetit dhe efektivitetit të punës. Gjithashtu, rëndësi duhet ti kushtohet dhe krijimit të një mjedisi lehtësues për biznese të reja dhe të qëndrueshme, i cili varet nga politika të përcaktuara dhe artikuluara mirë. Z.Sala rekomandoi se duhet të kemi një përvetsim dhe njohje më të gjerë të Kodit të Punës që të arrijmë të sigurojmë zbatim të plotë të standarteve.
Znj. Zhuljeta Harasani, Koordinatore e Organizatës Botërore të Punës në Shqipëri (ILO) u fokusua në rëndësinë e aktivitete të tilla me një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë aktorëve kryesorë në lidhje me punën e denjë dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së një praktike të tillë. Gjithashtu, znj. Harasani foli në lidhje me publikimin më të ri të zyrës së ILO-s që ajo përfaqëson , komentori, i cili është hartuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithëve për të krijuar lehtësi në kuptimin e Kodit të Punës duke zbërthyer të gjithë nenet në mënyrë që të jetë sa më i prekshëm dhe i kuptueshëm nga të gjithë.
Z. Edison Hoxha në emër të CLRSD, gjatë fjalës së tij, foli për përmbylljen e monitorimit të programeve politike të secilës prej partive politike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të zhvilluara në 25 qershor 2017. Fokusi i këtij monitorimi ishte përfshirja e punës së denjë dhe katër komponentëve të saj : punësimi, mbrojtja sociale, të drejtat e punëtorëve dhe dialogu social; në axhendat dhe dokumentat politike përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Nga monitorimi vihet re se partitë politike e kanë përfshirë punën e denje në programet e tyre politike. Por, vihet re tendenca për të përfshirë vetëm dy nga komponentët : punësimin dhe mbrojtjen sociale. Ndërkohë, të drejtat e punëtorëve dhe dialogu social nuk zëne vend në programet politike apo në diskutimet politike. Pamëvarësisht qasjes të ndryshme që i bëjnë dy komponentëve partitë politike, arrihet në konkluzion që asnjë nga partitë politike të monituruara nuk e parashikon në dokumentet programore konceptin e plotë të punës së denjë. Gjatë periudhës në prag të fushatës pati ndryshime cilësore në diskutime ku pati rritje të diskutimeve në lidhje me punën e denjë nga pothuajse të gjithë partitë politike. Ndëkohë, Z. Edison Hoxha në emër të Qëndrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social (CLRSD) , inkurajon partitë politike që të përfshijnë më shumë punën e denjë në programet e tyre politike.
Përfaqësueset e dy organizatave partnere në këtë aktivitet, GADC dhe TFL folën për punën respektive të dy organizatave dhe vështirësitë apo problemet që janë përballur gjatë punës së tyre në lidhje me barazinë gjinore në vendin e punës dhe problemet e punëtorëve në fasoneri dhe call center.
Gjatë takimit u paraqitën dhe rastet e dy punonjësve të cilat treguan për eksperiencat e tyre me punën në ndërrmarrje, kushtet e vështira të punës, pagën e vogël, oraret e zgjatura pa pagesë dhe me punën në ditë të pushimit duke paraqitur një realitet të vështirë të të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të tyre.
Z.Gerti Shella tha se të gjithë aktorët duke marrë parasysh nga ky event startues gjithëpërfshirës, me të gjithë aktorët, tani në të ardhmen mund të bëjmë shumë më mirë duke marrë parasysh platformat ekzistuese dhe do të kemi impakt më të madh dhe efikas në këtë fushë .
Përfaqësuesja e Olaf Palme Center, Znj. Plejada Gugashi, duke falenderuar të gjithë për pjesëmarrjen, tha se sa i rëndësishëm është ky lloj bashkëpunimi ku të gjithë aktorët kryesorë janë të gatshëm të punojnë së bashku për të kontribuar në dicka kaq të rëndësishme sa është puna e denjë . Znj. Gugashi theksoi se sa e rëndësishme është që të gjithë ne të jemi sa më të informuar në lidhje me Kodin e Punës dhe të azhornuar me ndryshimet që ndodhin në legjistlacion që puna dhe kontributi jonë të jetë sa më efektiv.
Pati diskutime të shumta në lidhje me problematikat që përballemi çdo ditë, si punonjës apo në nivel institucional dhe se si mund të kontribuojmë të gjithë që të kemi impakt sa më pozitiv dhe të sjellim ndyshime sa më të dukshme dhe efektive në lidhje me punën e denjë dhe të gjithë komponentët e saj.
Një zëri u ra dakord që aktivitete të tilla që bashkojnë forcën për të drejtat e punëtorëve të vazhdojnë dhe të intensifikohen edhe më shumë në të ardhmen.