Informaliteti gri, si shkelen të drejtat e punonjësve shqiptarë
Kontrata e punës, për shumëkënd ka qenë një dokument i panjohur, për një kohë të gjatë, por gjërat kanë ndryshuar edhe në një treg pune si në Shqipëri. Tashmë rezulton se 99.4% e punëmarrësve punojnë me kontrata pune. Zyrtarisht për shumë kompani, kontrata nuk është vetëm një formalitet ligjor, por situata ka evoluar në një mënyrë që është shndërruar në pjesën kryesore të negociatave ndërmjet palëve për një vend pune.
Ekspertët pohojnë se ndryshimet që pësoi Kodi i Punës në fund të 2015-s, të cilat merrnin fuqi vepruese në qershor 2016, kanë sjellë një ndikim pozitiv në raport me respektimin e marrëdhënieve të punës punëdhënës – punëmarrës. Një dispozitë e rregulluar në këtë rast është lejimi vetëm 7 ditë nga 1 muaj që ishte, të nënshkrimit të kontratës me një të sapopunësuar. Kjo ka bërë që punëdhënësit ta marrin më ‘seriozisht’ momentin e lidhjes së kontratës së punës me punëmarrësin.
Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, thotë se janë ndërmarrë një sërë hapash për të arritur në këtë situatë, sipas tij, të përmirësuar të dy viteve të fundit. Nga të dhënat që ISHPSHSH-ja ka publikuar në raportet e treguesve të inspektimit për këto dy vite vërehet qartë që numri i të punësuarve në kontrata pune individuale të lidhur mes palëve shënon rritje. Konkretisht, gjatë vitit 2016 u konstatuan 98.3% e të punësuarve të punojnë me kontrata pune në numër punëmarrësish 210 320, marrëdhënia e punësimit e të cilëve iu nënshtrua kontrollit.
“Në vitin 2017, kemi një rritje deri në 99.1% dhe në 6-mujorin e parë të 2018-s na rezultojnë 99.4%. Në fakt, për këto dy vite dhe vetë struktura e Inspektoratit të Punës i ka dhënë një vend të rëndësishëm, në punën e saj, fushatave informuese me përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, gjë që po vijon të bëhet, por tashmë jo në formën e tryezave apo takimeve në salla, por në formën e informim-këshillimit në subjekte, si vizita inspektimi këshilluese. Po vërejmë që kjo formë është shumë më efikase, për shkak se dhe informacioni shkon drejtpërdrejt te palët e interesuara”, – thotë z. Seferi.
Ai shton se, pavarësisht shifrës së lartë që reflektojnë të dhënat statistikore prej rreth 99.4% të punëmarrësve, të cilët kanë rezultuar të punojnë me kontrata pune, mbetet sfidë e inspektorëve të punës, zbatimi në praktikë i të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë dokument. Sa u përket ankesave ndër vite, bëhet e ditur se për vitin 2016 janë trajtuar 353 ankesa, ndërsa viti 2017 ka pasur rritje të numrit të tyre, duke arritur 385 ankesa.
“Fluksin më të madh e shohim këtë 6-mujor të 2018, me 302 ankesa të regjistruara deri tani, duke shënuar kështu një tregues të qartë për një ndërgjegjësim të punëmarrësve për të kërkuar të drejtat e tyre duke e parë ISHPSHSH-në si partner, ashtu si në fakt duhet dhe të jetë”, – thotë z. Seferi. (Monitor)