Vlerësimi i Mekanizmave të Dialogut Social dhe Vendimmarrjes në Fushën e të Drejtave të Punës në Procesin e Anëtarësimit në BE
Më 24 shkurt 2026, në vijim të takimeve dhe konsultimeve të zhvilluara nga Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) gjatë vizitës studimore në Bruksel, u organizua në Tiranë një tryezë e zgjeruar diskutimi me përfaqësuesen e Bashkimi Evropian nga Drejtoria e Përgjithshme për Punësim, Çështje Sociale dhe Përfshirje (DG EMPL), e ardhur posaçërisht nga Brukseli për këtë takim me partnerët socialë në Shqipëri.
Kjo tryezë u konceptua si një hap konkret për të sjellë më afër dialogun ndërmjet institucioneve evropiane dhe sindikatave shqiptare, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë shkëmbimi mbi sfidat, prioritetet dhe reformat e nevojshme në tregun e punës.
Në takim morën pjesë konfederata dhe sindikata nga sektorë të ndryshëm, përfshirë të gjithë partnerët kryesorë të projektit “Smart Trade Unions”. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që përfshiheshin në një diskutim të këtij niveli dhe formati me përfaqësues të institucioneve të BE-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rolit të tyre në dialogun social dhe në proceset e integrimit evropian.
Diskutimet u përqendruan në disa çështje thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit:
- Shkalla e përfshirjes së sindikatave në politikëbërje, veçanërisht në hartimin e politikave ekonomike dhe sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës;
- Zhvillimi i qëndrueshëm dhe lufta kundër informalitetit, si sfida kyçe për garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e të ardhurave publike;
- Roli i sindikatave në negociatat kolektive dhe në proceset e rritjes së pagave, duke theksuar nevojën për strategji të mirëstrukturuara dhe dialog efektiv me qeverinë dhe punëdhënësit;
- Kontrolli dhe monitorimi i sipërmarrjeve, në mënyrë që të garantohet zbatimi i legjislacionit të punës pa dëmtuar klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë;
- Formalizimi i ekonomisë dhe zgjerimi i skemave të mbrojtjes sociale, si instrumente për uljen e pabarazive dhe për rritjen e sigurisë ekonomike të punëtorëve;
- Zhvillimi i aftësive të së ardhmes, përmes investimeve në trajnim, arsim profesional dhe ndërtimin e institucioneve të forta, transparente dhe funksionale.
Tryeza shërbeu gjithashtu si një platformë për të reflektuar mbi praktikat evropiane dhe mbi mënyrën se si standardet dhe politikat e BE-së mund të përafrohen më tej me realitetin shqiptar. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të partnerëve socialë dhe të institucionalizimit të dialogut social si pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të CLR për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet sindikatave shqiptare dhe institucioneve evropiane, si dhe me mbështetjen dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Swedish Institute dhe ABF Västerås.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi me strukturat sindikale kombëtare, përfshirë Shtëpinë e Punëtorëve në Shqipëri, mbetet thelbësor për forcimin e zërit të punëtorëve dhe për ndërtimin e një dialogu social të qëndrueshëm, në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian dhe prioritetet e procesit të integrimit.