• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Protestë masive në 1 Maj: Punëtorët shqiptarë kërkojnë dinjitet, paga të drejta dhe kushte të sigurta pune

Protestë masive në 1 Maj:  Punëtorët shqiptarë kërkojnë dinjitet, paga të drejta dhe kushte të sigurta pune

Artikull 1 Maj 2025

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë organizuan një manifestim të madh qytetar dhe sindikal në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Nën thirrjen “Jetojmë me pagë shqiptare, paguajmë me çmime evropiane!”, qindra punëtorë nga sektorë të ndryshëm u bashkuan për të kërkuar dinjitet për punëtorët shqiptarë dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive sociale dhe ekonomike që i detyrojnë çdo ditë shumë prej tyre të emigrojnë.

Pagat në Shqipëri janë të ulëta si në Afrikë dhe çmimet e larta si në Europën Perëndimore. Punëtorët nuk përballojnë më jetesën, ndaj po ikin masivisht. Duam paga dinjitoze këtu, jo emigrim të detyruar!” – theksuan organizatorët.

Protestuesit vinin nga sektorë të ndryshëm – fasoneri, ndërtim, shëndetësi, call-center, naftë, pastrim e gjelbërim – të bashkuar në kërkesën për paga dinjitoze, kushte të sigurta pune dhe respekt për të drejtat bazë të punëtorëve. “Kostoja e jetesës është rritur në mënyrë të frikshme, ndërsa pagat mbeten të njëjtat. Po jetojmë me paga shqiptare, por po paguajmë me çmime evropiane. Kjo nuk është drejtësi,” – deklaroi Gertjana Hasalla nga Qendra për të Drejtat në Punë.

Ndërkohë, Gent Stroni nga Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë kërkoi që vendi të investojë seriozisht në punë dinjitoze dhe siguri në punë: “Nuk mund të flasim për shëndet publik kur vetë punonjësit e shëndetësisë janë të ekspozuar ndaj pasigurive dhe paguhen në mënyrë mizerabël”.

Në të njëjtën ditë, punëtorët e Bankers Petroleum në fushën naftëmbajtëse të Marinzës (Fier) protestuan për rritje pagash, bonusë të merituar dhe kushte më të mira pune, në një aksion të organizuar nga Sindikata e Sektorit të Hidrokarbureve. “Kompania shpenzon për publicitet, por harron se pasuria më e madhe janë vetë punëtorët”, – theksoi Dritan Shahu, kreu i sindikatës, duke denoncuar edhe mungesën e vëmendjes mediatike për këtë protestë.

Manifestimi u zhvillua në kuadër të një klime të rënduar socio-ekonomike, ku emigrimi masiv, informaliteti, mungesa e sigurimeve shoqërore dhe shfrytëzimi i punës së grave e të rinjve mbeten plagë të thella të tregut të punës shqiptar. Ndërkohë, fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare nuk ka ofruar asnjë propozim serioz për përmirësimin e jetës së punëtorëve.

Protesta adresoi një sërë çështjesh urgjente, përfshirë:

➤ Kërkesat kryesore të manifestimit:

  • Rritje reale të pagave dhe pensioneve, në përpjesëtim me rritjen e çmimeve.
  • Luftë ndaj informalitetit në punë, veçanërisht në sektorin privat, ndërtim dhe fasoneri.
  • Fuqizim të sindikatave dhe kontratave kolektive, jo margjinalizim i tyre; përfshirje në dialogun social dhe procesin e politikëbërjes.
  • Hapje të vendeve të reja të punës, në veçanti për të rinjtë dhe përmes mbështetjes së bujqësisë dhe blegtorisë.
  • Subvencione për fermerët dhe garantim i shitjes së produkteve bujqësore.
  • Rritje të menjëhershme dhe të drejtë të pensioneve, jo vetëm për efekte propagandistike.
  • Masa serioze për sigurinë në punë, sidomos në ndërtim dhe në miniera, ku numri i aksidenteve po rritet çdo vit.

Sipas të dhënave të raportuara në tubim, vetëm në vitin 2024 kanë humbur jetën 33 punonjës në vendin e punës, një shifër alarmante për një vend me një treg pune të vogël. Shkaktarët kryesorë janë mosrespektimi i detyrimeve për trajnimin mbi rreziqet në punë, mungesa e deklarimeve të aksidenteve nga punëdhënësit dhe kontrolli i dobët nga institucionet.

Qeveria kërkon vetëm të mbledhë taksa, por nuk kontrollon as kushtet e punës dhe as zbatimin e ligjit. Punëdhënësit shpesh fshehin aksidentet, duke shkelur hapur ligjin dhe duke rrezikuar jetën e punëtorëve. Ky është krim!” – theksoi Kondi Ilia, Koordinator Kombëtar i Unionit të Sindikatave.

Në fjalën e tij, z.Ilia dënoi edhe presionet dhe politikat ndaj bizneseve të reja: “Qeveria i sanksionon që në ditët e para me gjoba dhe kontrolle arbitrare, duke dekurajuar çdo iniciativë ekonomike dhe punësim të qëndrueshëm”.

Thirrje për UNITET dhe VEPRIM

Organizatorët bënë thirrje për unitet të punëtorëve, sindikatave dhe qytetarëve, duke kërkuar më shumë aktivizëm dhe kurajë për të kërkuar të drejtat. “Punëtorët nuk duhet të kenë më frikë të protestojnë. Nëse ndihen të papërfaqësuar, të bashkohen me sindikatat! Së bashku, mund të fitojmë të drejtat që na takojnë.”

Në përmbyllje, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë i bëri thirrje kryeministrit dhe qeverisë që të nisin urgjentisht një dialog të sinqertë dhe gjithëpërfshirës me sindikatat, sepse “nuk ka demokraci pa përfshirjen e punëtorëve dhe sindikatave në vendimmarrje”.

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?