Konferenca Rajonale mbi Ekonominë, Demokracinë dhe Kohezionin Rajonal në Ballkanin Perëndimor
Me ftesë të Foundation Qemal Stafa, përfaqësues të Qendrës për të Drejtat në Punë CLR morën pjesë në panelin e diskutimeve gjatë Konferencës Rajonale mbi Ekonominë, Demokracinë dhe Kohezionin Rajonal në Ballkanin Perëndimor, aktivitet që mblodhi ekspertë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë politikë nga rajoni. Ky aktivitet ofroi një platformë të veçantë për shkëmbimin e ideve, diskutimin e praktikave më të mira dhe krijimin e rrjeteve bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci aktive në rajon.
Gjatë ndërhyrjes sonë në panel, ndamë situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar sfidat e vazhdueshme të dialogut social, rëndësinë e punës së denjë, të drejtën e përfaqësimit të punëtorëve, si dhe nevojën për mekanizma të besueshëm që garantojnë angazhim, përfshirje, drejtësi sociale dhe demokraci të qëndrueshme. Çështjet që ngritëm u pritën me interes nga pjesëmarrësit dhe u pasuan nga një bashkëbisedim i hapur dhe i sinqertë, ku u ndanë përvoja dhe perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal.
Një sesion i veçantë iu kushtua rëndësisë së bashkëpunimit rajonal midis think tank-eve progresive dhe organizatave të shoqërisë civile, duke e theksuar rolin e tyre në ndikimin e politikave publike dhe fuqizimin e qytetarëve. Në këtë kontekst, patëm mundësinë të prezantojmë gjetjet dhe rekomandimet e policy paper-it të përgatitur në vitin 2025 mbi “Bashkëpunimin mes sindikatave dhe forcave politike progresiste”, një projekt që u realizua bashkë me organizatën partnere Centre for Modern Skills. Ky dokument ofron analiza të detajuara dhe sugjerime konkrete për mënyra se si sindikatat dhe partitë politike progresive mund të bashkëpunojnë në mënyrë efektive për të fuqizuar të drejtat e punëtorëve dhe ndikimin social.
Konferenca gjithashtu nxori në pah rëndësinë e dialogut ndërkombëtar dhe të bashkëpunimit rajonal për forcimin e demokracisë dhe kohezionit ekonomik, duke treguar se sfidat e përbashkëta mund të adresohen më mirë përmes ndarjes së eksperiencave dhe praktikave të suksesshme. Pjesëmarrja jonë shërbeu për të prezantuar eksperiencën shqiptare dhe për të kontribuar në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për rajonin.
Falenderojmë Kalevi Sorsa Foundation dhe Progres Institute for Social Democracy për mbështetjen dhe konsideratën e propozimit tonë, si dhe për mundësinë për të ndikuar në një dialog konstruktiv dhe me rëndësi rajonale.
Ky aktivitet përforcon angazhimin tonë për të kontribuar në zhvillimin e politikave që promovojnë drejtësi sociale, punë të denjë dhe një dialog të qëndrueshëm midis aktorëve politikë dhe shoqërisë civile në Shqipëri dhe rajon.
